
Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka dhënë detaje nga orët e “luftës” që u zhvilluan mes Erion Veliajt nga burgu dhe Edi Ramës për kontrollin e Bashkisë së Tiranës.
“Mbrëmë në 23:50 minuta më mbërriti një shkresë dhe dukej e pabesueshme, mu desh kohë ta konfirmoj, një shkresë me firmën dhe vulën e Veliajt. Në atë shkresë zoti Veliaj komandonte në krye të Bashkisë, Sara Goxhajn, ish shefen e kabinetit dhe largonte Anuela Ristanin.
Sara Goxhaj, deri para pak ditësh nuk ishte nënkryetare dhe ligji parashikon që kompetencat e kryetarit mund ti kalojnë vetëm nënkryetarit. Pra ka patur dy urdhëra. Ishte vendi vakant dhe me ta emëruar Goxhajn nënkryetare e komandon kryetare në detyrë.
Në momentin që Rama është vënë në dijeni, ka shkuar menjëherë në Bashkinë e Tiranës dhe pyetja e parë ka qenë, a është i ligjshëm një urdhër tij. Alban Dokushi ka thënë se ishte urdhër i ligjshëm. Këtu ka filluar debati mes Ramës dhe të besuarve të Veliajt. Zoti Rama ka kërkuar dorëheqjen e zotit Dokushi, duke thënë rikthehu si drejtor juridik, Dokushi ka refuzuar dhe Rama ka thënë të mos protokollohet shkresa e Veliajt.
Në Bashki ka qenë situatë e tensionuar. Zoti Rama, në informacionet që disponoj, i janë ridëguar Veliajt shkresat e reja, për rikthimin në detyrën që kishte Anuela Ristani dhe largimin e disa zyrtarëve të Bashkisë.
E pashë si luftë të hapur mes kryetarit të Bashkisë dhe kryeministrit. Anuela Ristani shihet si e besuara e kryeministrit. Pati tension të vazhdueshëm për orë me rradhë. Nuk është konfirmuar a ka firmosur Veliaj shkresat e dyta. Nga drejtoria e burgut të Durrësit, nuk kam konfirmim që Veliaj të ketë nxjerrë shkresat.
Përveç avokatëve dhe familjarëve, zoti Veliaj ka patur takime të rregullta me zotin Dokushi dhe zonjën Goxhaj. Sipas ligjit janë dy njerëzit më afër kryetarit të Bashkisë, kanë qenë të autorizuar nga prokurori për ta takuar”, tha Lala.