Kryeministri Kurti deklaroi pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, se Kosova pas situatës së krijuar me rrëmbimin e 3 efektivëve të policisë nga forcat speciale serbe, ka vendosur të rrisë gjendjen e gatishmërisë.

Kreu i qeverisë bëri me dije se janë shtrënguar dhe kontrollet në kufij, teksa shprehu habinë e tij me heshtjen e autoriteteve ndërkombëtare në lidhje me veprime e Serbisë që kanë për qëllim të destabilizojnë vendin dhe rajonin.

Diskutuam për veprimin agresor të Policisë së Serbisë që rrëmbeu tre efektivët e policisë së Kosovës. Biseduam për situatën e përgjithshme të sigurisë sidomos në 4 komunat në veri. Rasti i djeshëm ishte agresion dhe hakmarrje ndaj policisë që po lufton krimin. Institucionet tona e kanë rritur nivelin e gatishmërisë. Janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë sidomos për automjetet.

Kemi rritur kontrollet kufitare dhe mund të ndalohet qarkullimi kur mendohet se mund të përbëjë rrezik. Synimi ynë është siguria dhe ajo nis te kufijtë. Ne edhe njëherë kërkojmë që të lirohen 3 efektivët e policisë. Serbia nuk ka ndryshuar në qëllime, ajo çfarë është e çuditshme është heshtja e ndërkombëtarëve ndaj veprimeve të Serbisë”, tha Albin Kurti.

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë morën pjesën kryeministri Albin Kurti, zëvendësministri Besnik Bislimi, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Petrit Ajeti, drejtori i AKI-së, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ministri i Financave, Hekuran Murati.