Për më shumë se dy orë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, dëshmoi pasditen e së enjtes në SPAK përballë prokurorëve belgë lidhur me dosjen e famshme të “Toyota Yaris”.

Por kush është personi që e “gozhdoi” kreun demokrat për më shumë se dy orë? Mësohet se ai është 35-vjeçari Julien Moinil. Prokuror magjistrat i krimit të organizuar nga disktrikti i Brukselit.

Moinil ka qenë në Shqipëri edhe në shkurt të vitit 2019, si pjesë e një delegacioni të Zyrës së Prokurorisë Federale të Mbretërisë së Belgjikës, në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit mes dy institucioneve nënshkruar në Bruksel në vitin 2011.

Vetë prokurori Moinil ka thënë se nëse Basha nuk vjen duhet të sillet forcërisht, ndryshe do të veprojë drejtësia belge. Grupi i hetuesve belgë është gjithsej me 7 persona, grup i kompletuar hetimor. Ata që mbrëmë kanë njoftuar Partinë demokratike.

Ndërkohë, pas dëshmisë, Kryedemokrati u shpreh se ishte në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e ngjarjes, por nuk pranoi që të jepte më shumë detaje lidhur me atë që ka dëshmuar.

“Kanë hedhur poshtë gënjeshtrat. Çështja në Belgjikë nuk është mbyllur. Paratë e konfiskuara nuk u janë kthyer, por mbeten ashtu. Hetimi në Belgjikë vazhdon dhe drejtësia belge është e vendosur të shkojë deri në fund. Në këtë kuadër. Për herë të dytë dhe sa herë të jetë e nevojshme do të bashkëpunoj me drejtësinë belge dhe të çdo vendi partner. Unë dhe PD jo vetëm jemi në dispozicion të drejtësisë belge dhe do të jemi pro-aktivë kundër luftës ndaj korrupsionit, duan non gratat e shpallur apo të pa shpallur. Isha në rolin e personit që ka dijeni për rrethanat e ngjarjes. Prokurorët belgë kanë pasur një veprimtari përtej intervistimit tim. E dyta që mund të them është se kam bindjen, se ishte një bisedë konstruktive, që i shërben hetimit dhe sikur mund ta kuptoni, me hetimet në vijim e sipër nuk mund të flas më tepër. Ju e dini denoncimin tim, ai është një nga indiciet e hetimit dhe që vazhdon në Belgjikë. Unë i qëndroj gjithçkaje që kam thënë në parlament” tha Basha.

Gjykata e Tiranës dënoi me një vit e gjashtë muaj burg Ervis Vladin për sekuestrimin e 3.4 milionë eurove në dy mjetet tip “Toyota Yaris”. Këto të fundit kishin mbërritur në Portin e Durrësit nga Belgjika. Vladi ishte një ndër gjashtë personat, të cilët u hetuan për këtë çështje.

Bllokimi i sasisë së konsiderueshme të parave në portin e Durrësit në qershor 2018, prodhoi akuza të ashpra nga kreu i opozitës Lulzim Basha, sipas të cilave qeveria shqiptare ishte e lidhur me trafikun e drogës.