Detaje të reja dalin në dritë sa i përket zhdukjes pas asnjë gjurmë të Leonard Theodhori, i njohur si ‘Koçole’, dhe Fatmir Sulovari në Sarandë dhe lidhjen e mundshme të tyre me vrasjen e Aleksandër Sadikajt. Po ashtu dhe lidhja e tyre me Ledjan Alushajn, mikun e dikurshëm të Aleksandër Sadikajt që dyshohet se në fund mori pjesë në ekzekutimin e tij në Tiranë, ku ia hodhën makinë në erë me tritol, duke e lënë dhe të vdekur.
Dyshohet se pas rrëmbimit dhe zhdukjes më pas të Sulovarit dhe Theodhorit fshihet Ledjan Alushaj. Ky i fundit besohet se është në Dubai në përpjekje për ti shpëtuar kapjes. Dyshimet e policisë lidhen me faktin se Alushaj ka supozuar se ‘Koçole’ dhe Sulovari janë përfshirë indirekt në vrasjen e mikut të tij, Edmond Papa, raporton “Në shënjestër”.
Dyshimet shtohen, duke sugjeruar se ‘Koçole’ kishte informacion mbi vrasjen e Sadikaj dhe mund të kishte rrezikuar krerët e grupit nëse fliste. Ledjan Alushaj, i dyshuar për organizimin e rrëmbimit të ‘Koçoles’ dhe shoqëruesit të tij, Sulovarit, këtë ditë kishte thirrur Theodhorin për t’u bashkuar, duke e informuar se kishte armë me vete. Alushaj përmendet në dëshminë e nënës së Aleksandër Sadikaj si pjesë e ekzekutimit të tij.
Hetuesit, në lidhje me rrëmbimin dhe zhdukjen e Leonard Theodhorit dhe Sulovarit, kryen shumë kontrolle në ambiente të ndryshme. Kryesisht, fokusi i tyre ishte te banesa e babait të Ledjan Alushaj dhe në hotelin e pronarësisë së Edmond Papës. Emisioni ‘Në shënjestër’ zbulon dëshminë e Dashnor Alushaj, babait të Ledjan Alushaj. I pyetur në lidhje me automjetin tip furgon pa targa të gjetur në magazinën e tij, që dyshohet të jetë përdorur në rrëmbimin e ‘Koçoles’ dhe Sulovarit. Dashnor Alushaj, mohoi gjithashtu të jetë i tij.
Gjatë kontrollit në plantacionin me agrume të Dashnor Alushaj, babait të Ledjan Alushaj, policia sekuestroi disa automjete, përfshirë një automjet tip ‘Land Rover’ dhe një furgon të bardhë. Automjeti ‘Land Rover’ është zbuluar të parkuar pranë një stacioni karburanti në qytetin e Sarandës. Një tjetër furgon i bardhë, i cili rezulton të ketë targa të një furgoni të ngjashëm të tashmë sekuestruar nga policia në plantacionin me agrume të Dashnor Alushaj, ka intriguar grupin hetues. Këtu për herë të parë, emri i Sebastjan Lataj del në skenë, një person që punonte në biznesin e familjes Alushaj.
Por Dashnor Alushaj mohon të jetë i tij.
“Në lidhje me karburantin ‘Pit Stop’ dhe automjetin tip ‘Land Rover’ unë mund të them se kam vajtur aty me këtë mjet në shoqërinë e një djali që e njoh si Niku i Hotit, i cili ka një servis në rrugën e Çukës. Arsyeja që kam vajtur ka qenë për t’u furnizuar me karburant. Por as unë dhe as familjarët e mi nuk kanë një mjet në pronësi apo përdorim të tipit ‘Land Rover’ me targa BKE 81 58”, thotë ai.
Dëshmia:
Dashnor Alushaj: Kam 3 fëmijë, 2 vajza dhe një djalë të rritur, të tre të martuar dhe banojnë të ndarë nga unë. Si familje prej vitesh kam aktivitet tregtar në kultivimin dhe tregtimin e mandarinave dhe posedoj një plantacion në fshatin Xarrë, Sarandë si dhe një fermë lopësh në zonën e Stillos, Sarandë. Djali është i martuar me shtetasen K.S, kanë dy fëmijë dhe jetojnë në Sarandë. Nusja e djalit ka probleme shëndetësore dhe prej muajit Janar ata janë larguar në drejtim të Anglisë ku ajo po kurohet. Nuk e di qytetin e saktë ku janë vendosur, pasi më tepër me ta komunikon bashkëshortja. Për herë të fundit me djalin kam folur para rreth 6 ditësh. Ai po fliste me nënën e tij dhe ma ka kaluar dhe mua në telefon. Leonard Thodhorin dhe Fatmir Sulovarin nuk i njoh, nuk kam patur asnjëherë të bëj me ta. Shtetasin me pseudonimin ‘Koçole’ thjesht e kam të dëgjuar nëpër Sarandë. Këtë furgon e kam blerë rreth 9 vite më parë në Shijak. Është i targuar me targa shqiptare dhe e përdor për qëllime biznesi, transport të mandarinave. Furgonin para 3 vitesh ia kam kaluar me kontratë shitje kunatit, shtetasit Niko Gazheli. Këtë furgon e përdor dhe një punëtor i tij i quajtur Sebastian Islamaj, me origjinë nga Tropoja. Furgoni është pa targa sepse kam aplikuar për çregjistrim, kjo para 4 apo 5 vitesh pranë DSHTRR Sarandë. Ne dijeni time furgonin për herë të fundit ka lëvizur para disa ditësh, kohën e saktë nuk e kujton, por e ka përdorur Sebastiani, ka shkuar në Tiranë për të marrë mish për qentë dhe është kthyer në Xarrë. Në lidhje me karburantin ‘Pit Stop’ dhe automjetin tip ‘Land Rover’ unë mund të them se kam vajtur aty me këtë mjet në shoqërinë e një djali që e njoh si Niku i Hotit, i cili ka një servis në rrugën e Çukës. Arsyeja që kam vajtur ka qenë për t’u furnizuar me karburant. Por as unë dhe as familjarët e mi nuk kanë një mjet në pronësi apo përdorim të tipit ‘Land Rover’ me targa BKE 81 58.