Për herë të dytë, Prokuroria e Tiranës do t’i dërgojë një tjetër letërporosi Sllovenisë, në mënyrë që të marrë infomacione lidhur me automjetin që u përdor nga “vëzhguesit” në vrasjen e Brilant Martinajt dhe shokëve të tij.
Burime për “Balkanweb” bëjnë me dije se Prokuroria e Tiranës ka marrë njëherë një përgjigje nga Sllovenia, por pas disa të dhënave që kanë ardhur nga Kosova, është parë e nevojshme që të dërgohet edhe një tjetër shkresë zyrtare.
Në shkresë do të kërkohen informacione të tjera lidhur me mjetin tip “Volkswagen Polo”, i cili është kapur nga kamerat e sigurisë pranë zonës ku u vra Martinaj dhe shokët e tij, Diklen Vata dhe Besmir Hoxha.
Nga mënyra sesi është pozicionuar dhe ka lëvizur mjeti, ka dyshime se brenda mund të ketë qenë një person që kishte si detyrë vëzhgimin e lëvizjeve të nipit të Ervis Martinajt.
Për më tepër, pas ngjarjes, mjeti është djegur. Në Kosovë, për të njëjtin automjet është tentuar marrja e dëshmisë së një personi që e ka pasur përkohësisht në pronësi, por ai nuk ka qenë bashkëpunues me autoritetet.
Teksa do të priten përgjigjet nga Sllovenia, po hetohet edhe mënyra sesi mjeti ka hyrë në Shqipëri dhe ku është shitur, kështu Policia mund të bjerë në gjurmët e autorëve të masakrës së Fushë Krujës.
Deri më tani, nuk ka asnjë person që akuzohet lidhur me vrasjen e 3-fishtë.
Si ndodhi ngjarja?
Mesditën e 17 korrikut të vitit 2022, në rrugën kryesore që lidh Fushë-Krujën me Tiranën, një pritë iu bë makinës ku po udhëtonin tre të rinj, Besmir Hoxha, Brilant Martinaj dhe Dikler Vata. Disa persona kanë ekzekutuar në mënyrë makabre 3 të rinjtë duke djegur edhe makinën ku ata po udhëtonin. Njëri prej tyre, Dikler Vata zbriti nga mjeti i plagosur duke tentuar të shpëtonte por autorët u kthyen dhe e qëlluan përsëri duke u siguruar që e vranë. Shënjestra e atentatit sipas burimeve nga grupi hetimor është Brilant Martinaj, kushëri i parë me biznesmenin e përfshirë në disa ngjarje kriminale, Ervis Martinaj. Për atentatin janë zbuluar edhe të dyshuarit e parë të ngjarjes së rëndë. Në pyetje u morën Endrit Dokle dhe Ramazan Rraja, e po ashtu edhe Gentian Reci, Fation Murati, Alesio Dobrozi dhe Rohan Brahimi. Këta persona janë të dyshuarit kryesorë të masakrës së Fushë Krujës, një ngjarje makabre që lidhet me përplasjen e bandave në zonën e Kurbinit. Por, ende nuk ka asnjë të arrestuar për ngjarjen në fjalë. Po ashtu rezulton i zhdukur edhe vetë Ervis Martinaj, pasi ka humbur kontaktet me familjarët, të cilët kanë bërë kallëzim në Polici, por ende nuk ka asnjë gjurmë prej tij.