Ministri i Brendshëm Taulant Balla, deklaroi se zjarri që dogji hektarë të tërë me pisha në pyllin e Pishë Poros, tetorin e kaluar u sponorizua nga biznesmenë që duan të ndërtojnë central fotovoltaik në zonën e mbrojtur.

“Edhe për zjarrin e Pishë Poro kemi pasur disa prej arrestimeve. Edhe dyshimet e mija që i kam bërë publike në vendngjarje është për pronar tokash në atë zonë që i gënjen mëndje që duke i vënë zjarrin zonës së mbrojtur do të kenë shpresë të marrin ndonjë leje për fotovoltaik,” deklaroi Balla nga salla e Kuvendit teksa po diskutohej ligji i ri për Prefektin.

Ministri i Brendshëm  kërkon që institucionet e drejtësisë të ashpërsojnë dënimet për zjarrvënësit

“Në burg të shkojë kushdo që i vën flakën. Dhe thirrja ime është që kur të vijnë këtu institucionet e drejtësisë, KLP, KLGJ, vendosni në rekomandime që bën kuvendi që për zjarrvënien të jepet dënim maksimal e ta kalojmë me konsensus të gjithë bashkë. Se larg qoftë të gjendemi para situatës ku u gjendën komshinjtë tanë grekë. Prandaj dua që të japin prefektit këtë. Dua dhe mbështetjen tuaj që sapo të vijmë për ligjin për mbrojtjen kundër zjarrit të kem propozimet dhe mbështetjen tuaj,” përfundoi ai.