Procesi për zgjedhjen e një presidenti me konsensus të gjerë politik ka dështuar, ndërkohë që sot do të konsumohet edhe raundi i tretë i votimit në Kuvend, ku deputetëve nuk iu është propozuar asnjë kandidaturë.
Pavarësisht diskutimeve kryesisht të nivelit teknik, dhe një marrëveshje që në 3 raundet e para propozimet për president të bëheshin nga deputetët e opozitës, këta të fundit nuk dërguan asnjë emër në administratën e Kuvendit. Afati i fundit për ta bërë një gjë të tillë skadoi gjatë pasdites së djeshme.
Seanca ku do të digjet edhe raundi i tretë, që parashikon Kushtetuta për zgjedhjen e presidentit do të mbahet në orën 10:00, dhe një orë më vonë Kuvendi do të mblidhet sërish për të vijuar me rendin e zakonshëm të ditës.
Tashmë zgjedhja e presidentit të ri të vendit, duket se është një punë vetëm e socialistëve, pasi në raundin e katërt dhe të pestë, Kushtetuta e parashikon që kreu i shtetit të zgjidhet me shumicë të thjeshtë votash, për të shmangur krizën institucionale, dhe dërgimin e vendit drejt zgjedhjeve të parakohshme.
Fillimisht opozita e drejtuar nga Enkelejd Alibeaj, u bë pjesë e negociatave për zgjedhjen e presidentit, por në ditët e fundit, duke mos marrë garanci se socialistët do të mbështesnin propozimet e tyre, zgjodhën të linin në mes procesin, me pretendimet se kishin nxjerrë Edi Ramën ‘lakuriq’.
Raundi i katërt pritet të mbahet jo më larg se e hëna e javës së ardhshme, ku pritet të kemi dhe presidentit e ri të vendit, i cili do të pasojë në këtë post Ilir Metën, ndërsa ky i fundit do ti kthehet jetës aktive politike.