Me duartrokitje dhe karafila të bardhë mbi arkëmort të hedhura nga të pranishmit, është përcjellë për në banesën e fundit kolosi i letërsisë shqipe, Ismail Kadare.
Pas homazheve të mbajtura në Teatrin e Operas dhe Baletit, ku morën pjesë familjarë, miq, dashamirës e figura të larta shtetërore të vendit, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, të botës së artit e letërsisë, Kadare është përcjellë nga kortezhi për në varrezat e Tufinës.
Ishte kërkesa e bashkëshortes së tij, Helenës, për t’u varrosur vetëm në prani të familjarëve, duke mbyllur kështu homazhet në momentin e nisjes së kortezhit.
Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalimin e vetëm në homazhet në nderim të kolosit të letërsisë shqiptare, Ismail Kadare. Rama tha se që në momentin e parë që është njoftuar vdekja e Kadaresë, në inboxin e tij kanë mbërritur mesazhe të pafundme me propozime, për vendin se ku do të prehej shkrimtari i madh shqiptar.
Pasi ka bërë homazhet në nder të Kadaresë, Rama ka thënë se skena në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit e Ansamblit Popullor me hijen e Nënë Terezës ka qenë një rastësi.
Rama tha se Kadare nuk i kishte qejf tubimet, fjalimet, dhe se do argëtohej shumë me propozimet për ta varrosur te Dëshmorët e Kombit, pranë vëllezërve Frashëri apo dhe te varrezat e dëshmorëve në Kosovë.
“Nënë Tereza po montohej për një shfaqje sot në darkë. Lereni aty u thashë nuk ka më mirë. Askujt nuk i shkonte mendja çka rastësoi këtu enkas për Ismailin dhe më mirë sesa nën hijen e saj, shqiptares që i takon botës, ceremonia e përcjelljes së shqiptarit që i takon botës. Ismaili symbyllur do ndihej i marrë në mbrojtje nga ata që se donin dhe nga ata jo pak që e donin
Në inboxin e mesazheve më vinin propozime të pakërkuara për vendin ku do të varrosej Ismail Kadare, nga parku i liqenit deri te varrezat e dëshmorëve në Kosovë. E di si ai arkëmort, që do të argëtohej shumë me këto propozime, dhe do i vinte plasja që nuk merrte dot pjesë në funeralin e vetë. Helena më çoi fjalë që donte vetëm fjalimin tim, nga dikush që nuk flet thjesht se ia do detyra, por edhe dikush që me Ismailin e lidhte kënaqësia e bisedave jo të shpeshta. Sa e mora vesh që vdiq mendova pashmangshmërinë për organizimin e funeralit. Më është bërë si pullë poste pamja e tij e sëkëlldisur në ceremoninë e dekorimit nga vetë presidenti i Francës. U ndjeva personazh i kurthit të fundit të Kadaresë.
Një vorbull e llahtarshme në një pallat të atyre ëndrrave. Bashkë me fytyrën e skëllëdisur më vjen ndër mend një varg: Do bëj një shenjë dhe do iki! Kurrë ky vend nuk do reshtë së përsëritur gjithçka Ismail Kadare dha për të. Ismail Kadare e meriton të prehet në një banesë të fundit që të jetë vetëm e tija, jo bashkë me dëshmorët. Ai nuk ishte dëshmorë, por nuk kishte asnjë dëshirë që të ishte dëshmor. Jo bashkë me vëllezërit Frashëri. Nuk na e kishte Ismaili borxh që t’i mohojmë vetminë e tij,”- u shpreh mes të tjerave Rama.
“I dashur Ismail, nuk ta tregoj dot sa do doja të ta tregoja ç’më panë sytë e ç’më tha mendja duke u marrë me funeralin tënd. Por më duhet të të falenderoj që në këtë novel të pashkruar më dhe atë përgjigjen që s’ta mora dot në të gjallë kur thoshe nuk shkruaj më, ma ktheje i kam thënë të tëra. Sot jam plotësisht i bindur se Ismail Kadare i tha vërtetë të tëra ç’kishte për të thënë.
Ismail Kadare e meriton të prehet në një banesë të fundit që të jetë vetëm e tija. Jo bashkë me dëshmorët sepse ai as ishte dëshmor dhe as nuk kishte në asnjë qelizë të tij dëshirën për të rënë dëshmor. Jo bashkë me vëllezërit Frashëri, sepse as nuk ja kanë borxh t’i bëjnë vend në varret e tyre dhe as na i kishte Ismaili borxh që t’i ndalojmë vetminë e tij vetëm e vetëm sepse nuk ja ndalon dot duke na parë me shpotinë e vetë duke na thënë jo-në e tij. As përballë Rognerit.
Ismail Kadare jetoi si dëshmitar i një fjale që mori të tëra lëvdatat e botës dhe tërë smirën dhe sharjet e mundshme të vendit që e lindi. Mbeti në arkivat e procesverbaleve të Nobel, i vetmi kandidat për të cilin ka një dosje letrash anonime. Ai erdhi, shkroi dhe iku. I kemi vetëm një detyrim, t’ja respektojmë ikjen duke i dhënë një banesë të fundit ku të mos ndihet i kërcënuar as nga dashuria e pakërkuar që e kishte tmerr, as nga fqinjësia asnjëherë e dëshiruar që e kishte lemeri dhe as nga tubimet, nderimet dhe fjalimet që i kishte llahtari. Sa për sot, është kërkesë e Helenës që vendosja e përkohshme e trupit të tij në Tufinë të bëhet vetëm me praninë e familjarëve. Në emër të saj ju kërkoj të gjithëve respektimin e këtij vullneti dhe mbylljen e homazheve nga sheshi këtu për në varrezat e qytetit”, vijoi Rama.