Ikja e mjekëve ka dëmtuar sistemin tonë shëndetësor duke krijuar boshllëqe në qendra shëndetësore jo vetëm në rrethe, por edhe në spitale në Tiranë. Urdhri i mjekut konfirmon se për vitin 2022 kanë kërkuar certifikatën e sjelljes së mirë 180 mjekë.
Edhe pse sipas kreut të tij Fatmir Brahimaj, jo të gjithë largohen një herë e përgjithmonë.
“Ajo certifikatë kërkohet sa herë që një mjek duhet të shkojë në një klinikë të huaj, për ta frekuentuar atë, për të bërë një kualifikim, për të bërë një studim si bashkautor. Për të mbrojtur një doktoratë në një vend tjetër e kështu me radhë, sepse në asnjë vend të botës nuk mund të futesh si mjek dhe të të jepet një përparëse pa paraqitur nga urdhri i vendit që vjen, certifikatën e sjelljes së mirë”.
Po cilës fashë i përkasin mjekët që braktisin Shqipërinë? A është vetëm paga që marrin jashtë që i josh ata të lënë profesionin në Shqipëri apo lidhet edhe me kushtet e punës dhe klimën që ofrohet në institucionet shëndetësore në vendin tonë?
“Predominojnë mjekët e rinj. O direkt që mbarojnë universitetin, ose me pak vite stazh pune. Disa thonë thjesht që shkojnë për një jetë më të mirë. Disa të tjerë mundësi për të aplikuar një mjekësi më bashkëkohore. Pra nënkuptojnë që taje të kenë kushte më të mira pune, teknologji më të mirë, mbrojtje ligjore më të mirë”.
E ndërsa shume mjekë zgjedhin klinika jashtë Shqipërisë të tjerë braktisin qendrat shëndetësore nëpër rrethe për të ardhur në Tiranë. Dhe sipas Brahimajt, kjo nuk zgjidhet vetëm me bonusin e mjekut.
“Të gjendet një konfort edhe në rrethin ku shkon. Apo për të qëndruar në vendin tënd, për të mos shkuar në një vend tjetër”.