“Shpesh kemi dëgjuar të thuhet se të heqësh dorë nga lojrat e fatit është thuajse e pamundur. Megjithatë kjo nuk është plotësisht e vërtetë për të gjithë. Edhe pse një proces i vështirë, vitet e fundit vihet re një trend në rritje i kërkesave për t’u larguar nga ky ves.”

Të dhënat e siguruara nga Tv Klan na tregojnë se në Autoritetin e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit për një periudhë afro dy vitesh ka pasur 556 kërkesa për ndalim hyrje në kazino.

334 prej tyre janë bërë nga vetë personat që kanë krijuar varësi nga bixhozi si një përpjekje për t’u larguar nga ky ves, ndërsa pjesa tjetër drejtpërdrejtë nga familjarët. Të gjitha kërkesat përfshijnë qytetin e Tiranës, ku operojnë 5 kazinotë e licencuara.

Paola Gjika: Personat që vijnë kërkojnë ndihmë kanë vite të konsiderueshme që luajnë bixhoz, kazino ose online. Duan të ndryshojnë, sepse u kanë krijuar problem familjarëve, sepse kanë humbur shuma të konsiderueshme parash, duan të krijojnë një familje të re.

Personat e grupmoshës 30-40 vjeç kërkojnë më së shumti të heqin dorë nga lojërat në kazino, por nuk kanë munduar edhe ato mbi 70 vjeç. Megjithatë vitet e fundit ka gjithmonë e më shumë të rinj që nisin të luajnë, kryesisht baste online.

Henri Telharaj: Ka një rritje për shkak të rritjes së aksesueshmërisë në teknologji. Praktikisht jemi në një terren të vështirë duke qenë se kemi mundësi të luajmë në çdo kohë. Individët me varësi mund të ndjehen në presion nga reklamat e vazhdueshme.

Të gjendur përballë tundimeve, ekspertët këshillojnë që familjarët e këtyre personave të tregohen të vëmendshëm e të kërkojë ndihmë sa më herët tek specialistët.