Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka hapur supertenderin me vlerë 20 milionë euro për të bërë prokurimet publike me Inteligjencë Artificiale. Nisma e qeverisë ka marrë “jetë” nga AKSHI, i cili vetëm sa zbaton “deklaratat e kryeministrit”.

Vendimi vjen pa bërë më parë konsultime me grupet e interesit apo pa bërë më parë një projekt pilot. Por, duke qenë se vlera e tenderuar është dhënë nga BE, Agjencia nuk ka humbur kohë, teksa ka planifikuar këtë shpenzim në vitin 2025.

Por, si do të bëhen tendera me Inteligjencë Artificiale? Natyrisht, deri më tani s’ka pasur ndonjë firmë që të jetë e interesuar për implementimin e AI-së, teksa tenderët e Kuvendit apo disa procedura të tjera po me Inteligjencë kanë dështuar. Të gjitha tenderët u anuluan pasi “nuk mori pjesë asnjë firmë”.

Qeveria hap supertenderin 20 milionë euro për të bërë

Njoftimi i tenderit nga AKSHI në Agjencinë e Prokurimit Publik

Sipas dokumenteve që disponon redaksia e VoxNews, AKSHI ka hapur tenderin me objekt “modernizimi i sistemit të prokurimeve publike (GOVTECH/2)”. Vlera e të gjithë procedurës është plot 1.979.583.333 lekë, ose mbi 20 milionë euro. Bëhet fjalë për sistem elektronik i inteligjencës, ndërkohë që nismën s’e ka lançuar AKSHI apo ndonjë institucion tjetër, por vetë kryeministri Edi Rama.

Në muajin dhjetor 2024, Rama deklaroi se në mandatin e katërt, prokurimet publike do të bëhen 90% me AI. “Premtimi” për zgjedhje mori jetë nga AKSHI, i cili ia “plotëson çdo dëshirë”. Në konferencën rajonale “Formësimi i së Ardhmes së GovTech”, Rama tha se kjo do jetë një tjetër arritje falë kësaj mundësie që na jep teknologjia.

“Kur mblidhemi në të Ballkanit bëjmë dy sforco të mëdha, kush është më i vjetri dhe kush është i pari. Më të vjetrit dihet që jemi ne, por që të jemi të parët, kjo nuk para dihet…. Ne modelin e AI që po ndërtojmë besoj se në mandatin tonë të katërt ne do jemi vendi i parë që do realizojmë prokurime 90% me AI, dhe me nivel të pakonkurrueshëm. Kjo do jetë një tjetër arritje falë kësaj mundësie që na jep teknologjia” tha Rama.

Qeveria hap supertenderin 20 milionë euro për të bërë

Krahas qeverisë, Agjencia e Prokurimeve Publike ka nxjerrë një draft për tenderët

Krahas nismës së Edi Ramës, Agjencia e Prokurimit Publik ka nxjerrë një draft për prokurimet, në bazë të “vizionit 2030”. Në asnjë rresht nuk përmendet “GOVTECH/2”, që prokuroi AKSHI.

“Në fokus të SKPP 2024-2030 ndër të tjera përmendim rritjen e efiçencës dhe efikasitetit në procedurat e prokurimit publik; mirë përdorimin e fondeve publike dhe reduktimin e shpenzimeve procedurale; nxitjen e pjesëmarrjes së operatorëve ekonomikë në procedurat e prokurimit publik, sidomos promovimin dhe nxitjen e pjesëmarrjes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (SME); nxitjen e konkurrencës ndërmjet operatorëve ekonomikë; sigurimin e trajtimit të barabartë dhe jo-diskriminues për të gjithë operatorët ekonomikë në procedurat e prokurimit publik; garantimin e integritetit, rritjen e besimit publik dhe transparencës në procedurat e prokurimit publik” thuhet në këtë dokument.