Qeveria dhe agjensitë në varësi të saj vazhdojnë të shpenzojë miliona euro të buxhetit në tendera sekretë. Këtë herë është Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, e cila ka shpenzuar 4.5 milionë euro me tender të fshehtë për rikonstruksionin e Vilës Qeveritare Nr 5.
E gjendur në ambientet e Pallatit të Brigadave, Vila nr 5 nisi të ndërtohej nga Ramiz Alia, por nuk u përfundua asnjëherë. Prej më shumë se 30 vjetësh ky objekt ka mbetur në formën e karabinasë dhe jashtë funksionit.
Por një muaj më parë, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare ka zhvilluar një tender sekret me fond limit 499 milionë lekë për rikonstruksionin e kësaj vile. Në garë morën pjesë dy kompani dhe fituese u shpall Ad-Star me ofertë 494 milionë lekë ose sa 99 për qind e fondit limit.
Nuk dihet se cili është plani i qeverisë për Vilën nr 5, pasi të gjitha dokumentat e tenderit janë sekrete. Por shpenzimi i 4.5 milionë eurove me tender të fshehtë për rikonstruksionin e një vile qeveritare ngre dyshime për shpërdorim të parave publike.
Aq më tepër kur autoriteti prokurues është Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, një nga institucionet publike më jo transparente në vend. E përfshirë në skandalin e fluturimeve charter të Kryeministrit, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare refuzoi të publilkojë fatutën financiare që taksapaguesit kanë paguar për avionin personal të kreut të qeverisë, pavaërsisht presionit të madh publik.