“Lëvizja Bashkë” nuk do të ndalet në protestat kundër prishjes së parkut pas Teatrit të Operës dhe Baletit për ndërtimin e kullës 64-katëshe që dyshohet se financohet nga njerëzit e “Foltores”. Protesta e radhës do të mbahet pasditen e së enjtes, në orën 18.30.

Njoftimi i “Lëvizjes Bashkë”:

PROTESTA NUK NDALET

Dy protestat e para kanë tërhequr vëmendjen e qytetarëve të Tiranës për krimin urbanistik që po ndodh me prishjen e parkut pas Teatrit të Operës dhe Baletit. Qindra qytetarë kanë marrë pjesë në to dhe shumë të tjerë janë informuar nga fushata ndërgjegjësuese intensive e aktivistëve të Lëvizjes BASHKË.

Ndonëse muaj pushimesh, i zgjedhur tinëzisht nga oligarkët dhe pushtetarët, qytetarët e Tiranës po tregojnë kundërshtinë e tyre ndaj përvetësimit të hapësirës publike, zhdukjes së gjelbërimit dhe ndotjes së ajrit.

Lëvizja BASHKË vazhdon me këmbëngulje të thërrasë qytetarët në protestë, e bindur se vetëm masiviteti i rezistencës mund ta shpëtojë parkun.

Ne luftojmë për jetën!

Ne angazhohemi për qytetin!

Ne përpiqemi BASHKË!

Ju ftojmë të na bashkoheni sërish, më të shumtë e të vendosur, në protestën e ditës së enjte, 10 gusht, aty ku sot është një vend krimi, por nesër mund të bëhet një hapësirë shprese!

Takohemi në parkun tonë!