Diana Bahçja do të marrë sërish fëmijën e saj në krah, pasi drejtësia ia mohoi këtë moment unik, vetëm 8 ditë pasi e kishte sjellë në jetë djalin.
Nëna lehonë nga Mati u lirua sot nga qelia me vendim të gjyqtarit Ardit Mustafaj, me kushtin për të paguar gjobën. Rasti i saj ka prekur zemrat e të gjithëve, ku shumë qytetarë janë shprehur të gatshëm për të shlyer pagesën. Kjo gjobë ishte fillimisht 250 mijë lekë, por duke qenë se e reja ka bërë 10 ditë burg, shuma ka zbritur në rreth 200 mijë lekë.
“Nuk kam qenë në dijeni të gjobës. Fëmijën e parë nuk e kam takuar se nuk më lejojnë është 5 vjeçe vajza”, tha thënë ajo në gjyq.
Të pranishëm në seancë janë edhe bashkëshorti i saj, si edhe përfaqësues të Komitetit të Helsinkit dhe të organizatave të tjera. Kërkesa për pezullimin e ekzekutimit po gjykohet nga gjyqtari Ardit Mustafaj.
Diana Kolaveri Hoshi është dënuar për braktisjen e fëmijës nga martesa e parë, por bashkëshorti i saj, Naim Bahçja pretendon se është detyruar të largohet pasi ish-bashkëshorti e dhunonte dhe nuk e lejonte të takonte vajzën. Pavarësisht pretendimeve të tij, faktet tregojnë se Diana Kolaveri Hoshi, me origjinë nga Mati është dënur nga Gjykata e Tiranës në qershor të vitit 2022, ndërsa vendimi është ekzekutuar nga Policia më 7 Mars të këtij viti. Në procesverbalin e oficerit gjyqësor që e ka firmosur dhe e dënuara thuhet se “gjyqtarja Ardiana Bera me kërkesë të prokurorit Endrit Bimi ka vendosur zëvendësimin e dënimit nga gjobë 250 mijë lekë në 1 muaj e 20 ditë burgim për akuzën “Braktisja e fëmijës”, parashikuar nga neni 124 i Kodit Penal.