Shërbimet sekrete ukrainase pretendojnë se presidenti rus Putin urdhëroi personalisht mercenarët e organizatës “Wagner” për të vrarë liderin e Ukrainës. Publikisht, megjithatë, Kremlini vazhdon të pretendojë se nuk është “shqetësuar” nga prania e Zelensky dhe se qëllimi nuk është të përmbysë qeverinë e tij.

Mercenarët e grupit Wagner, tashmë të vendosur në Ukrainë , po synojnë jo vetëm Presidentin Zelensky, por edhe kryeministrin e vendit, si dhe shefin e kabinetit të presidentit ukrainas. Nga ana e tij, Kremlini mohon të ketë lidhje me Wagner, një grup prej 600 mercenarësh të dislokuar në mbarë botën për të zbatuar “urdhrat e pista” të Moskës.

Është ushtria private e presidentit rus, e përbërë nga mercenarë të zgjedhur rusë të përfshirë në armiqësi. Grupi drejtohet nga Dmitry Utkin dhe financohet nga i besuari i Putinit, oligarku rus Yevgeny Prigotsin. Në Ukrainë, deri më sot, ka pasur më shumë se 12 tentativa të dështuara për atentat kundër Zelensky që nga fillimi i luftës.

Shërbimet sekrete të Ukrainës, të cilat kanë lidhje me Ministrinë e Mbrojtjes, thanë se presidenti rus kishte “urdhëruar personalisht një sulm tjetër nga grupi Wagner” për të vrarë Zelenskyn.

“Të gjitha përpjekjet e mëparshme për ta vrarë atë kanë dështuar, me armikun që u asgjësua nga forcat ukrainase”, thuhet në raportin kontrovers të inteligjencës ukrainase. Megjithatë, sipas gazetës britanike “Daily Mail”, përveç Zelenskit, mercenarët rusë kanë vënë në shënjestër edhe kryeministrin e Ukrainës, Denis Smichal dhe shefin e shtabit, Andriy Yermak.

“Mercenarët rusë kanë në duart e tyre një listë me 24 emra” për të shfarosur: Presidentin e Ukrainës, Kryeministrin, Shefin e Shtabit, Kabinetit, Kryetarin e Bashkisë së Kievit Vitali Klitschko, si dhe vëllain e tij.