Dy forcat më të madhe politike në vend kanë filluar takimet e para për hartimin e listave të deputetëve për zgjedhjet e 11 majit. Dje, Edi Rama, kryetar i Partisë Socialiste, mbajti takim në seli ku fokusi kryesor shkoi tek mobilizimi i votuesve të majtë, mbi të gjitha votat e diasporës.
Ndërsa sot selinë e Partisë Demokratike e ka vizituar Tedi Blushi, sekretar i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë. Edhe pse nuk dha shumë shpjegime mbi arsyen e vizitës mendohet se Blushi ka kërkuar nga PD futjen në listë të PD kandidatët e PL. Gjë e cila edhe më herët është konfirmuar nga Flamur Noka, të paktën sa i takon kryetarit të PL, Ilir Metës.
Por PD edhe pse në prag fushatës për zgjedhjet e 11 majit, ende nuk ka një formulë se si do hyjë në zgjedhje, pasi përveç kandidatëve që aspirojnë të bëhen deputetet, kreu i saj, Sali Berisha do t’i duhet të zgjedh mes besnikëve të tij, aleatëve dhe të riktherve.
Ç’ po ndodh me PS?
Edhe pse në pushtet prej 12 vitesh, PS duket sikur është gjithmonë në fushatë elektorale. Nga pikëpamja e organizimit të brendshëm duket sikur nuk ndalon asnjëherë. Dhe në fushatë riaktivizohet për të dalë në terren.
Burime mediatike nga selia rozë bëjnë me dije se brenda shkurtit të gjithë drejtuesit politikë të Partisë Socialiste do të dorëzojnë në tryezë listën e kandidatëve për deputetë.
Si asnjëherë më parë, PS ka fokusuar gjithë forcat në Tiranë. 7 ministra janë të angazhuar në fushatë elektorale në Qarkun e Tiranës. Janë deputetët të angazhuar në zona të ndryshme të vendit. Drejtuesit politikë, deputetët aktuale por edhe nga platforma “Deputeti që duam”, do të jenë në fokus për të përzgjedhur kandidatët për listat e deputetëve.
Po në PD?
Përveç disa takimeve politike në vend dhe diasporë, PD duke më e fokusuar tek protesta e së shtunës në Tiranë.
Më herët, në një konferencë për mediat, kryetari i PD, Sali Berisha ka deklaruar se akoma nuk është vendosur por mund të ketë primare në rang bashkie, qarku apo kombëtar. Por modalitetet e zhvillimit të tyre janë ende të paqartë. Kryetarëve të degëve që do të kandidojnë kanë dhënë dorëheqje. Fakti mbetet që nuk janë përcaktuar modalitetet dhe teknikisht PD mund të jetë vonë.
Afatet
Ndërkohë që afati ligjor për dorëzimin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të listës së kandidatëve për deputetë është data 13 Mars. Me ndryshimet e fundit të Kodit Zgjedhor, partitë do duhet të mendojnë mirë kandidatët pasi do të jetë 1/3 e listës së mbyllur dhe 2/3 e hapur. Do të jetë një numër më i lartë kandidatësh. Kodi Zgjedhor kufizon mundësitë për listat e deputetëve pasi një në tre kandidatë duhet të jetë grua, do duhet të ketë edhe kandidatë nga diaspora po kështu edhe të rinjë.
Në Tiranë janë 37 kandidatë në listë të hapur dhe 12 në listë të mbyllur.