Kompania publike e menaxhimit të trafikut ajror, Albcontrol thotë se i kanë humbur dy ndërtesa. Dy objektet me numër pasurie 137/1 dhe 196/1, të cilat ishin në listën e aseteve të kompanisë dhe që sipas letrave ndodhen brenda territorit të aeroportit të Rinasit tani nuk ekzistojnë më.

“Shoqëria Albcontrol ka në pronësi dy ndërtesa brenda territorit të TIA-s. Bazuar në vendimin e asamblesë së aksionarit për përmirësimin/përditësimin e regjistrit të pasurive të paluajtshme, Albcontrol i është drejtuar me shkresë Bashkisë Krujë për ekzistencën e dy objekteve të sipërcituara. Bashkia Krujë në përgjigjen e kthyer me Akt Verifikimin e datës 12 tetor 2022, ka konstatuar se dy objektet me sipërfaqe 111 dhe 238 metra nuk ekzistojnë dhe aktualisht janë parcela bosh,” thuhet në raportin e audituesit ligjor për zvogëlimin e kapitalit të Albcontrol.

Pas zhdukjes pa lënë gjurmë të ndërtesave audituesit ligjor kanë zbritur vlerën e tyre nga kapitali i shoqërisë. Regjistri i pasurive të ndërmarrjeve shtetërore është një lëmsh kaotik, ku shumë prona të shtetit nuk janë të regjistruara në hipotekë. Por kjo është hera e parë në histori, që një ndërmarrjeje publike i humbasin ndërtesat. Zakonisht ato që humbasin në shtet janë paratë, por ka gjithmonë një herë të parë. Tani po treten dhe objektet.