Operacioni i madh, ndalimet dhe urdhërarrestet ndërkomëbtare për ata që konsiderohen bosët e botës së krimit dhe të “paprekshmit” nga ligji dhe shteti ka dëshmuar qartë se pjesa më e madhe e akteve banditeske janë planifikuar dhe ekzekutuar nga njerëz me pushtet politik.

Në vorbullën e madhe të emrave të përfshirë në vrasje, trafik të lëndëve narkotike dhe krime të tjera spikasin ato të ish deputetëve socialistë. Edhe pse vëmendja e publikut është fokusuar tek “giallo” e ngjashme me filmat me mafiozë, nuk mund të lë pa përmendur dy emra kyç të këtij skandali. Ish deputetët e PS-se Arben Ndoka dhe Rrahman Rraja. I pari dorëzoi mandatin në vitin 2015 pasi u mësua se ishtë dënuar në Itali për trafik të qënieve njerëzore. Rraja dorëzoi mandatin një vit më parë, pas bërjes publike të videos ku dy vëllezërit e tij Xhelal dhe Përparim Rraja dhe i biri Rexhep Rraja rrihnin dy qytetarë në lokal pasi ishin ankuar në polici në lidhje me dëmet që i kishin shkaktuar shpërthimet nga gurorja në pronësi të vëllait të deputetit. Pak vite më parë i biri i tij Rexhepi u përfshi në një tjetër skandal, atë të keqtrajtimit të një vajze pasi ajo kishte depozituar ankesë ndaj tij në polici.

Sa më lart është vetëm pjesa e dukshme dhe më e “pafajshme” e dy ish deputetëve të PS. Në dosjen e fundit qartas vëllai i ish deputetit Rraja, në bashkëpunim me Durim Bamin i forti i Niklës, Endrit Doklen dhe Marklen Hakën organizojnë planin për vrasjen e ish deputetit Ndoka. Thënë ndryshe, nuk është thjesht luftë mes banditësh të rëndomtë, por luftë mes bandave të deputetëve socialistë.

Edhe pse pak e trajtuar në media dhe opinionin publik, ky duhet të jetë dhe shqetësimi më i madh për shoqërinë tonë. Si ka mundësi që dy ish deputetë të PS gjatë periudhës që kjo e fundit ka drejtuar vendin kanë drejtuar organizata të mirëfillta kriminale? Si është e mundur që të gjithë institucionet e këtij vendi, policia, prokuroria apo shërbimet sekrete nuk kanë mundur të identifikojnë asnjë problem për dy ligjvënës që në kohën që ngrinin kartonin për qytetarët në parlament merrnin vendime për vrasje dhe trafiqe?

Përgjigjet sigurisht që s’mund ti gjesh në një vend ku kryeministri pretendon se përgjegjësia është personale. Edhe kur gjithë shteti është në funksion të bandave siç ka ndodhur me Arben Ndokën dhe Rrahman Rrajën prapë përgjegjësia mbetet personale. Por siç thotë Elisa, “ngjarje të tilla ndodhin kudo më botë”. Me shpresën se këtë herë bandat nuk do të kenë në shenjë regjizorin, meqë skenaristët janë ose pas hekurave ose në kërkim.