Flirti i  Shpëtim Idrizit në Parlament  me Edi Ramën u përdor si argument  nga juristi i Partisë së Lirisë që  PDIU të përjashtohej nga tavolina e numërimit në garën e  14 majit.

Ligji zgjedhor përcakton që grupet e numërimit të votave ndahen mes partive te pakicës dhe shumicës parlamentare, por  kjo skemë futi në sherr partinë e Ilir Metës dhe të Shpëtim Idrizit, të dy pretendentë për të pasur numëruesin e katërt në tavolinën e numërimit të votave.

“Sapo u njohëm me shkresën e PDIU. Pavarësisht se me shkresë private thonë se janë në opozitë, PDIU ka mbajtur qëndrim pro qeverisë në 90 përqind të rasteve kur ka qenë pjesë e votimit në parlament, kështu që të lutem të merret parasysh dhe ky rast”, tha juristi i Metës.

Por, edhe pse  në këto zgjedhje nuk është rreshtuar në kampin opozitar dhe ne Parlament kartonët i bashkon me socialistët, Shpëtim Idrizi e ndjen veten ende opozitar.

“Ne jemi forcë opozitare që dihet botërisht dhe për të mirën e vendit ka votuar ligje apo ratifikime ndërkombëtare që i kanë votuar të gjithë, ka votuar dhe buxhetin e shtetit, nga të cilat kanë përfituar dhe partia e kolegut prezent”, u shpreh juristi i Idrizit.

Leximi i juristit të PDIU ishte  i njëjtë më atë të Komisionerit Celibashi, i cili vendosi të ndaj përgjysmë mes PDIU dhe LSI vendet e katërta në tavolinën e numërimit.

“Në vlerësimin tim mendoj se qëndrojnë argumentet nga përfaqësuesi i PDIU, dhe  kanë të drejtën që ata së bashku me PL të përfshihen në shortin për anëtarin e tretë dhe të katërt, doni që ta hedhim sot shortin. Meqë s’ka konsensus nesër në 12”, tha Celibashi.

Partia Socialiste do të ketë dy numërues si forcë e vetme e shumicës parlamentare ndërsa demokratët e Alibeajt një vend, ndërsa Berisha duhet të shpresojë në ndershmërinë e numëruesve të Metës./Tch