Prej mëngjesit të djeshëm, aksioni i IKMT-së në resortin e biznesmenit Irfan Hysenbelliu në Golem është mes lajmeve kryesore të ditës.

Fadromat të mbështetur nga efektivë të shumtë policie zbarkuan në resort duke nisur shembjet.

Sipas ministrisë së Brendshme, një pjesë e resortit, pra pishinat ishin ndërtuar pa leje.

Biznesmeni, pronar edhe i mediave “BalkanWeb”, “Panorama”, “News2”, etj, e cilësoi sulmin politik.

Megjithatë aksioni vazhdoi dje dhe sot.

Por si nisi përplasja?

Prej muajit maj të këtij viti në mediat e biznesmenit Hysenbelliu nisën të botohen një seri shkrimesh.

Në shënjestër kishin drejtorin e Tatimeve, Ceno Klosi dhe më pas të Doganave, Gent Gazheli.

Mediat “BalkanWeb”, “Panorama” dhe “News2” pretendonin se zbuluan shkelje në emërime por jo vetëm.

Kryeministri Edi Rama i doli në ballë. Ai tha se gjithçka është sulm i orkestruar për arsye se një prej bizneseve të Irfan Hysenbelliut, “Birra Tirana” ishte kapur me evazion të madh fiskal.

Në gusht ministria e Financave deklaroi se kompania “Birra Tirana” ka detyrime të prapambetura tatimore në vlerën e 1.7 milionë eurove dhe e çoi në prokurori.

Qetësia e ditëve të fundit të gushtit ia la vendin furtunës në ditën e parë të shtatorit. Sapo drejtoresha e re e IKMT-së, Dallëndyshe Bici filloi punën nisi fadromat drejt Golemit.

Prishja e pishinave, sipas IKMT-së pa leje, shkaktoi reagime të shumta. Opozita i doli në krah biznesmenit duke akuzuar se kryeministri po e godet për shkak të vijës editoriale.

Por dje, vetë “News 24” zbuloi për herë të parë edhe një tjetër përplasje. Këtë herë jo për evazionin fiskal dhe resortin, por godinën.

Ministria e Financave dhe e Ekonomisë, sipas televizioni në datë 26 maj të këtij viti i ka dërguar një shkresë drejtuesve duke u kërkuar që të largohen nga godina brenda 25 korrikut të këtij viti.

Kjo me arsyetimin se “News24” i mbaronte kontrata e qirasë që ishte për 20 vite.

Shoqëria ‘Focus Media News’ tha dje se e apeloi vendimin në Gjykatën e Tiranës, ku më tej theksoi se togat e zeza vendosën që të rrëzonin qeverinë, duke e cilësuar urdhrin e saj si të paligjshëm.

Por nuk dihet ende nëse qeveria e çoi në apel. Megjithatë beteja vazhdon në tre fronte; evazion fiskal (sipas qeverisë), lirimin e godinës dhe resortin në Golem.