E gjitha nisi për sqarim. Autori i vrasjes, Fiqiri Mjeshtri dhe dy vëllezërit e tij, kanë shkuar kanë takuar babë e bir në një lokal pranë gjimnazit të Klosit. Biseda mes palëve ka qenë e qetë dhe e shkurtër.

Mësohet se ka pasur vetëm ngritje të tonit të zërit, por jo ofendime. Tre vëllezërit janë larguar, për t’u rikthyer në lokal ku babai i të miturës ka hapur zjarr menjëherë ndaj babë e bir.

Fillimisht ai ka qëlluar me armë Kenado Shirën, duke e lënë të vdekur në vend, e më pas ka qëlluar drejt babit të tij 46-vjeçar Ilir Shira, duke i shkaktuar plagë të rënda, e për fat të keq ai nuk arriti të mbijetojë.

Ndërkohë plumbat kanë kapur edhe Renado e Eglantin Hasulën, të cilët aktualisht ndodhen në spitalin e Traumës. Burime nga spitali bëjnë me dije se Renato e ka kaluar rrezikun për jetën, ndërsa gjendja shëndetësore e Eglantinit është disi më e rëndë.

Grupi hetimor që po punon për zbardhjen e ngjarjes vijon mbledhjen e provave materiale në lokalin ku ndodhi ngjarja, ku një perimetër i madh vijon të jetë i rrethuar nga blutë e Dibrës. Ndërsa pas mbledhjes së provave pritet që të merren në pyetje anëtarët e të dyja familjeve për të hedhur më shume dritë mbi ngjarjen. Ndërsa në deklarimet e tyre paraprake dy vëllezërit Fatmir dhe Besnik Mjeshtri, tashmë të arrestuar si bashkëpunëtorë në krim, përpara bluve kanë deklaruar se nuk kanë qenë dakord me lidhjen e mbesës së tyre.