Para Gjykatës së Posaçme këtë të premte ka dëshmuar Ndrek Prenga, vëllai i Jan Prengës i cili u rrëmbye dhe u vra në janar të vitit 2020.
Ndrek Prenga rrëfeu se në vitin 2020 ka qenë në burg në Londër dhe se çdo ditë kishte kontakte me familjarët, gruan dhe fëmijët, me të cilët komunikonte përmes telefonit të burgut.
Përpara togave të zeza, Ndrek Prenga u shpreh se me vëllain e tij ka folur rreth një javë përpara se të ndodhte ngjarja.“Një shtetas me ngjyrë më ka futur në dhomë një telefon të tipit ‘iPhone’, me anë të së cilit më ka telefonuar një person me prefiks të huaj, duke u prezantuar si Gentjan Funiqi.
Funiqi u prezantua në telefon si një person me origjinë nga Dukagjini i Shkodrës, duke më thënë që: ‘Ma jep gjënë’”, ka dëshmar Ndrek Prenga.
Ai thotë që i referohej një sasie prej 260 kilogramëve kokainë. Gjatë dëshmisë ai shtoi se Gentjan Funiqi i kishte thënë se ka te tentuar të komunikojë edhe me vëllain Astritin, por nuk ka arritur.
“Pas këtij mesazhi iu përgjigja se nuk isha në dijeni se për çfarë bëhet fjalë. Mora në telefon Astritin, por edhe ai më tha se nuk kishte dijeni se çfarë kishte ndodhur. Pas një apo dy ditësh jam njoftuar nga nusja që Jani është marrë peng dhe se pas kësaj jam përpjekur të marr vesh se çfarë ka ndodhur”, ka dëshmuar më tej Ndrek Prenga.
Pas pak ditësh ai është vënë në dijeni se bëhet fjalë për një sasi prej 260 kg kokainë që ishin marrë në port, dhe gjatë komunikimeve që Ndrek Prenga kishte me Gentianin, ky i fundit i thotë që të dorëzojë atë “gjënë” duke iu referuar sasisë së kokainës me qëllim për të liruar pengun.
Prenga thotë se xhaxhai i tij dhe një person tjetër kanë shkuar në Shkodër për të takuar familjarët e Gentian Docit ku atje kanë gjetur babain e tij.
Ky i fundit i është përgjigjur se nuk ka dijeni dhe përgjegjësi se çfarë bën djali i tij. Prenga shton se pas ndërprerjes së mesazheve me Gentianin për të cilën fliste edhe me kamerë, një tjetër numër i ka shkruar duke iu prezantuar si Gramoz ku edhe ai pretendonte se kokaina e marrë nga Astrit Prenga është e tij.
Sipas dëshmisë së gjatë të Prengës, pasi policia ka ndërhyrë në kompleksin Golden në Shijak, nga ai moment ai ka ndërprerë komunikimet me të gjithë personat që kishte folur.
Që nga mosha 13 vjeç, thotë dëshmitari, ai është larguar nga Shqipëria dhe është shpërngulur në Britani.