Një zjarr i madh ka rënë mbrëmjen e kësaj të shtunë në brendësi të territorit të pyllit të Sodës. Policia dyshon se zjarri është i qëllimshëm, ngjashëm me atë të Semanit disa muaj më parë.
Zjarri ka prekur një sipërfaqe me pisha teksa po përhapet me shpejtësi i favorizuar edhe nga era e fortë bregdetare.
Raportohet se në këto momente po digjet një sipërfaqe e madhe me pisha teksa 5 automjete zjarrfikëse në vendin e ngjarjes duke luftuar flakët.
Sakaq, raportohet se ka dyshime se zjarri është ndezur nga disa persona që jetojnë në zonë për interes të masias së ndërtimit që po pastron paratë e krimit dhe drogës me vila dhe hotele në bregdet.
Policia ka mbërritur në vendngjarje duke survejuar perimetrin e sigurisë, ndërsa për momentin nuk rrezikohen biznese apo banesa pranë.
Gazeta mëson se ka një projekt për vila një dhe dy katëshe në këtë zonë nga njëri prej oligarkëve më të mëdhenj të këtij vendi që ka marrë koncensione rrugësh, me dorë të lirë në karburante dhe nën hetim për gllabërim e shkatërrim të pronave të ushtrisë.
Gjatë javëve të fundit banorë të zonës kanë parë inxhinierët e këtij oligarku duke inspektuar zonën për të detajuar projektin.
Por, fillimisht zona duhet të dalë nga mbrojtja dhe kjo bëhet më së miri me zjarr siç edhe duket se po vepron mafia e ndërtimit. Në vijim detajet e kësaj kasaphane që po përgatitet në këtë zonë. /gazetajonë