Policia ka zbardhur plagosjen me armë zjarri të ndodhur dy ditë më parë ndaj Selami Brahimit, i cili i shpëtoi një atentati në qytetin e Shkodrës.

Uniformat blu njoftojnë se bazuar në provat dhe informacionet e siguruara, identifikuan dhe shpallën në kërkim autorin e dyshuar të krimit, 68-vjeçarin Sulejman Kapllani.

Në kuadër të operacionit të përbashkët policor të koduar “Koordinimi” të kryer në bashkëpunim me Interpol dhe me homologët gjermanë, policia njofton se 68-vjeçari, i shpallur në kërkim ndërkombëtar është kapur në Berlin të Gjermanisë.

“Shtetasi S. K. dyshohet si autori kryesor i ngjarjes së datës 08.02.2024, në Shkodër, ku ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të markës “Citroen”, për të vrarë shtetasin S. B., banues në lagjen “Guerile”, Shkodër”, njofton policia.

Ndaj tij, Prokuroria kishte lëshuar një urdhër ndalimi për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Ndërkohë, Selami Brahimi ka thënë para policisë se nuk ka mundur të njohë se kush qëlloi në drejtim të tij. Në dëshminë e tij, 60-vjeçari ka deklaruar se nuk është kërcënuar më parë nga dikush apo të ketë konflikte me njeri. Brahimi, i cili mori lëndime në pjesën e fytyrës iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Strukturat kundër krimeve të rënda të DVP Shkodër kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, armën me të cilën është ekzekutuar vepra penale, një AK-47, së bashku me krehra me fishekë, si dhe automjeti i përdorur për transportimin e autorit.

Policia e Shkodrës po vazhdon hetimet për të zbardhur të gjithë rrethanat e ngjarjes dhe për të vënë përpara drejtësisë dhe autorë të tjerë të mundshëm të implikuar.