“Nova Construction” do të jetë kompania që do ndërtojë kullën më të re të Tiranës pas Teatrit të Operas dhe Baletit. Leja për kullën që do të quhet “Mali i Tiranës” është dhënë nga Erion Veliaj dhe projektues i saj u zgjodh sot në një konkurs, kompania daneze Cebra.

Kompania e ndërtimit “Nova Construction” ishte ajo që mundësoi “shfaqjen” e konkursit ku ishin angazhuar vetë Veliaj dhe Rama. Nuk dihet ende se çfarë të mirash për popullin sjell kjo kullë veç faktit se sjell përfitime për oligarkun e preferuar të Erion Veliajt Ilir Shtufin. Ai ka në pronësi 91% të kompanisë dhe 9% të aksioneve janë në zotërim të Kujtim Shtufit.

Kjo kompani është përfituese e një numri marramendës tenderash publikë nga Bashkia Tiranë dhe është klient personal i kryebashkiakut. Kjo për faktin se është ndërtuese e rreth 80% të kullave e pallateve më të larta në kryeqytet.

“Ky ndërtim në qendër të Tiranës do të “forcojë më tej profilin e metropolit rajonal të së ardhmes për kryeqytetin tonë”-tha Veliaj.

Kjo kompani gjatë vitit 2019-2022 (deri më tani)ka përfituar transaksione nga Thesari i Shtetit në vlerën e frikshme prej mbi 11 Miliardë Lekëve.

Vetëm nga bashkia Tiranë, kompania e Ilir dhe Kujtim Shtufit ka përfituar miliarda lekë, një vlerë të frikshme nga taksat e qytetarëve të Tiranës në bashkëpunim me kompani si “Alesio 2014” e Pashk Rrapit apo “Ante Group” e Bardhjus Bushajt, “FERRO Beton” dhe “MC Inerte” e baxhanakut të tyre Mark Lulit, për punë publike për llogari të Erion Veliajt.

Ka zëra se pas kësaj kulle është baxhanaku i vëllezërve Shtufi, ortaku i tyre në tenderat e Veliajt, biznesmeni Mark Luli, i cili dyshohet se është edhe pas kullës tek Garda e Liqenit.