“Mamin e harruam në veturë”, këto janë fjalët e dy fëmijëve të Liridona Murselit, të cilët ishin dëshmitarë të vrasjes së nënës së tyre. Mediat në Kosovë shkruajnë se këto detaje bëhen të ditura nga vëllai i të ndjerës, Leonard Ademaj.
“Atë ditë ka ndodhur krejt rasti. Djali e kish pas shtrënguar dorën shumë. Kur jam shkuar në polici mu ka ofruar më ka përqafu, ‘dajë tha hajni mi ka lyp paret, po unë s’ja kom dhënë e ka qel dorën i kish pas paret aty”, rrëfen ai.
Ai shprehet se dyshimet lindën që në momentin e parë që u njohën me rrethanat, ku thekson se bashkëshorti i të ndjerës, tanimë i dyshuar si porositës i vrasjes së saj, kërkoi të mos shikonin trupin e pa jetë.
“Edhe Naimin e kem marrë edhe shkuam me pa. Po tha mundësinë me pa Liridonën veç nëse keni probleme shëndetësore mos e këqyrni. Thash jo more unë jam rritë me të, dua me pa. Ai nuk dëshironte me hi me pa. Aty filluan edhe dyshimet tjera. I tha djali i mixhës ec Naim se s’bon kështu ke jetu 13 vjet me të”, theksoi ai.
Sigurimi jetësor është një ndër shkaqet që mund të ketë çuar në këtë tragjedi, sipas të vëllait.
“Çka mundem me ditë, e çka na shkon mendja është se Liridona ka pasur sigurime në Suedi. Sigurimi në Suedi paguan shuma marramendëse nëse i ndodhë një fatkeqësi njërit ose tjetrit prind. Ose mund me kon që ka mundur me mbet pa pare, me pas borxhe edhe me privuar nga jeta motrën tonë me ja marrë paret e sigurimit”,shpreh dyshimin e tij Leonardi.
Bashkëshorti i 33-vjeçares, Naim Murseli dyshohet se ka paguar 30 mijë euro për vrasjen e të bashkëshortes, që fillimisht u inskenua si grabitje me pasojë vrasjen. Në pranga ranë autori edhe një tjetër person.
Ngjarja ka shokuar opinionin publik, ku të shumtë janë ata që kërkojnë dënimin maksimal për bashkëshortin e Liridonës, e cila la pas dy fëmijë, dëshmitarë të vrasjes së saj.