Në Shqipëri opozita ka kritikuar marrëveshjen e firmosur dje në Romë mes kryeministres italiane Giorgia Meloni dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama, e cila parashikon ngritjen në territorin e Shqipërisë të dy qendrave për pritjen e migrantëve, duke ngritur dyshime për mungesën e transparencës rreth saj. Komiteti shqiptar i Helsinkit i tha Zërit të Amerikës se një akt i bërë fakt i kryer, pa konsultime paraprake, ngre pikëpyetje. Komisioni Europian po ashtu deklaroi sot se ka kërkuar informacione të detajuara nga Italia duke qenë se bëhet fjalë për një marrëveshje që ndodh për herë të parë mes një vendi anëtar dhe një shteti jo anëtar.

Marrëveshja me Italinë parashikon që pala shqiptare të ofrojë vetëm pjesë të territorit të saj ku do të ngrihen dy qendra me një kapacitet maksimal prej 3 mijë vendesh, për migrantët e nisur nga veriu i Afrikës, të cilët shpëtohen në det nga anijet ushtarake italiane apo ato të Guardia di Finanza-s. Çdo shpenzim mbulohet nga pala italiane, ndërkohë që policia shqiptare merr përsipër të garantojë sigurinë në perimetrin e jashtëm të dy qendrave, një në Shëngjin e tjetra në Gjadër.

Për kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është e papranueshme që ndërsa shqiptarët po largohen nga keqqeverisja sipas tij, hapen kufijtë për emigrantët e paligjshëm. “Detyra e parë është të vij të bëjë transparencën se kush i ka dhënë mandat të negociojë, me cilindo vend. Italia është një vend mik, aleat, partner, padiskutim, por këto janë interesa kombëtare, s’mundesh nga njëra anë të përzësh shqiptarët, nga ana tjetër të hapësh kufirin për emigrant të paligjshëm. Mbi çfarë baze? Me çfarë kushtesh?” u shpreh zoti Basha.

Pasdite, Partia Demokratike, bëri të ditur se deputeti i saj Kreshnik Çollaku ka kërkuar interpelancë me kryeministrin “për të bërë transparencë, përpara qytetarëve shqiptarë të arsyeve që kanë çuar Kryeministrin e Shqipërisë në këtë vetëofrim, pa asnjë konsultim publik, kur vendet europiane e kanë refuzuar atë, pavarësisht kapaciteteve për të menaxhuar këtë fluks emigrantësh”.

Ish-kryeministri Sali Berisha tha se zoti Rama sipas tij “nuk ka autoritetin moral e as ligjor” për të nënshkruar një marrëveshje të tillë, duke kujtuar se mes Italisë dhe Shqipërisë ekziston një akt i përbashkët i firmosur shumë vite më parë: “Ne, njohim marrëveshjen që kemi firmosur me Italinë për të rikthyer në Shqipëri ata emigrantë të huaj që mund të kalojnë nga Shqipëria në Itali. Përndryshe u them miqve të mi italianë mos harroni se sipas statistikave të Eurostat, nga viti 2014 deri në vitin 2021, janë larguar më shumë se 100 mijë shqiptarë çdo vit për në Itali, Greqi dhe në hapësirën e Shengenit”.

Kryeministri Rama deklaroi dje se Shqipëria është borxhlije ndaj Italisë, dhe se për këtë arsye, një marrëveshje të tillë nuk do e kishte firmosur me asnjë shtet tjetër. Por nënkryetari demokrat i Parlamentit Agron Gjekmarkaj, u shpreh sot përmes një statusi në Facebook se pavarësisht mirënjohjes ndaj Italisë, Shqipëria sipas tij nuk është gati “ende gati për të ndërmarrë hapa të tillë “mikpritjeje”, duke vënë në pah krizën e migrantëve të cilën “Italia mezi po e menaxhon mes shumë polemikash atje dhe kemi të drejtë të dyshojmë shumë për këtu”.

Komiteti shqiptar i Helsinkit i tha Zërit të Amerikës se “pikëpyetja që lind në kushtet kur kjo marrëveshje duket se bëhet faktike, pa asnjë proces konsultues gjithëpërfshirës, është se si do të mund Shqipëria të ndihmojë fqinjët pa dhënë rezultate të qëndrueshme e të qenësishme lidhur me këtë fenomen që ka prekur atë vetë, si një vend tranzit”, u shpreh drejtoresha Erida Skëndaj duke shtuar se “kampet e refugjatëve edhe në vetë vendet e Bashkimit Evropian në jo pak raste kanë shfaqur një sërë problematikash në drejtim të respektimit të të drejtave të këtyre shtetasve, sa i takon kushteve dhe trajtimit jo adekuat që kanë cenuar dinjitetin e tyre njerëzor, abuzimet e rënda që kanë ndodhur me ta, përdorimin apo shfrytëzimin e tyre nga organizata kriminale. Në kontekstin shqiptar, të gjitha këto risqe amplifikohen dhe janë më të shtuara”.

Sipas zonjës Skëndaj, “kalimi i këtyre shtetasve nga Italia në Shqipëri nuk mund të justifikohet objektivisht, nëse marrim në konsideratë hapësirën gjeografike të secilit shtet, statusin e tyre ne raport me Bashkimin Evropian, zhvillimin ekonomik, social, kapacitetet pritëse por edhe nivelin e respektimit të të drejtave të njeriut si dhe vetë detyrat që i janë lënë Shqipërisë nga Komisioni Evropian në raportin e fundit screening”.

Marrëveshja e djeshme u pasua me polemika të shumta dhe në Itali. Kryeministrja Meloni, e cila vjen nga e djathta nacionaliste, u ngjit vitin e kaluar në pushtet duke premtuar frenimin e migracionit, por në fakt prurjet janë gati dyfishuar. Opozita italiane ngriti pikëpyetje mbi rrezikun e shkeljes së normave dhe konventave ndërkombëtare, si dhe me vetë dobinë e këtij akti.

Komisioni Europian deklaroi sot se “ne jemi në kontakt me autoritetet italiane për detajet, sepse ne duhet të shohim detajet e kësaj marrëveshje dhe kemi kërkuar të kemi informacion për to”, theksoi zëdhënësja Anitta Hipper, duke shpjeguar se Komisioni kishte qenë paraprakisht në dijeni të marrëveshjes dhe me sa është njohur deri tani, ajo nuk duket të jetë e ngjashme me atë mes Britanisë së Madhe dhe Ruandës./VOA