Gazetari Igli Çelmeta, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, ka dhënë informacion të rëndësishëm lidhur me masakrën e Dobraçit, duke theksuar se ngjarja dyshohet të jetë kryer nga vrasës me pagesë.
Ai shpjegoi se ka një autor që dyshohet se ka qenë një prej ekzekutorëve të ngjarjes.
Çelmeta theksoi se hetimet janë përqendruar në lidhje me një organizatë kriminale të strukturuar, çka ka bërë që çështja t’i kalojë në dorëzim Prokurorisë së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK).
“Dyshohet se ngjarja është kryer nga vrasës me pagesë. Ka një autor që dyshohet se ka qenë një prej ekzekutorëve. Për shkak se kanë zbuluar se kanë të bëjnë me organizatë kriminale të strukturuar ngjarja është kaluar në dorëzim të SPAK”, tha ai.
Çelmeta theksoi se policia ka arrestuar një person që dyshohet se ka vjedhur makinën e përdorur në krimin e rëndë. Ky automjet ishte përdorur nga ekzekutorët dhe ishte pjesë e një grupi që kryente grabitje automjetesh Range Rover, në Tiranë, Durrës dhe Lezhë.
Këto automjete më pas shfrytëzoheshin për kryerjen e krimeve.
Ai nënvizoi se hetimet e policisë janë thelluar, dhe dyshohet se Arlind Bushati, i cili u vra në masakër, mund të ketë qenë viktimë e një intrige brenda grupit. Çelmeta shtoi se ka informacione se ky grup mund të ketë “shitur” Bushatin tek kundërshtarët e Hamza Licit dhe vëllait të tij.