Gjykata e Gjirokastrës ka dhënë masën e arrestit me burg për Florian Taçin, ish drejtues i hipotekës së Gjirokastrës.
Shkalla e parë e gjyqësorit në Gjirokastër vendosi që Taçi dhe Memishaj të vuajnë ditët e paraburgimit në Burgun e Sigurisë së lartë në Bënçë të Tepelenës. Seanca e sotme e vlerësimit të masës së arrestit ka zgjatur një ore e gjysmë.
Prokurori Gazmend Frëngu ka renditur shkeljet ligjore të konstatuara gjatë momentit të arrestimit në flagrancë të Florian Taçit dhe Alban Memishes ish hartografit të Kadastrës. Provat shkresore e materiale të sjella në seancë nga prokuroria ngrenë akuza se të dy të pandehurit kanë cënuar sistemin kombëtar të Kadastrës duke dhënë çertifikata pronësie në shumë raste për pasuri të ndryshme të paluajtshme.
Pas paraqitjes së provave nga prokurori Frëngu, avokatët Piro Boboli për Florian Taçin dhe Arben Pasho për Alban Memishën kërkuan për klientët e tyre masën arrest shtëpie. Gjyqtarja Entela Selmanaj dha vendimin për t’i lënë burg pa afat të dy ish zyrtarët ndërsa hetimet po vijojnë.