Mbetjet toksike të Kurum , si po tentohet manipulimi i analizave

Mbetjet e rrezikshme të kompanisë “Kurum” janë vendosur në Spitallë të Durrësit prej disa muajsh dhe ende nuk ka një përgjigje nëse janë apo jo toksike.

Në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, gazetarja Ola Xama, u shpreh se mbetjet dyshohen se janë të rrezikshme dhe po tentohen të manipulohen analizat që të dalin që një pjesë nuk janë toksike dhe nëse dalin, faji do t’i lihet laboratorit në Kroaci që ka bërë analizat, ndërsa po bëhet gjithçka që çështja të harrohet.
“Më 5 gusht 2023, një njoftim nga Aksioni i Bazelit, një organizatë me bazë në SHBA dha lajmin në “Bloomberg” se anija me 102 konteinerë me lëndë të rrezikshme kishte ikur nga Shqipëria në Tajlandë. Disa media në Shqipëri e botuan. Pas disa muajsh anija u kthye dhe mbeti në radë edhe pse kishte një vendim të prokurorisë për t’u sekuestruar mbetjet.

Mbetjet dyshohen se janë të rrezikshme dhe ka dyshime se po tentohen të manipulohen që analizat të dalin që një pjesë nuk janë toksike dhe nëse dalin, faji do t’i lihet laboratorit në Kroaci që ka bërë analizat. Po bëhet gjithçka që çështja të harrohet. Këtu nuk duhet të harrojmë se si është bërë ngarkesa në portin e Durrësit në terren të hapur, por jemi në Shqipëri, ndryshe do të ishte një çështje e madhe dhe qytetarët do të kërkonin dëmshpërblim”, tha Xama.

Por si erdhi sinjalizimi i anijeve me mbetje industriale?

Sipas dokumenteve zyrtare të shqyrtuara nga AFP, kontejnerët ishin mbushur me materiale mbeturinash që ishin vendosur për t’u përpunuar dhe shkatërruar larg brigjeve të Evropës.

Materiali i depozituar në 102 kontejnerët e kishte origjinën nga uzina e çelikut Kurum International në pronësi turke në Elbasan, Shqipëri.

Mbetjet u blenë fillimisht nga kompania shqiptare Sokolaj, e cila më pas ia shiti materialin filialit të saj në Kroaci, GS Minerals, me ngarkesën që do të shkarkohej në Tajlandë për përpunim.

Sipas dokumenteve të parë nga AFP, Sokolaj i etiketoi mbetjet si “oksid hekuri” një substancë që nuk është e ndaluar për dërgesë ose që konsiderohet e rrezikshme.

Një analizë e substancës në kontejnerë u krye nga një laborator kroat me bazë në Zagreb, sipas Sokolajt.

Kur u kontaktua nga AFP, laboratori refuzoi të komentonte, duke thënë se “informacioni mund t’u jepet vetëm klientëve”.

Vetë Sokolaj nuk i është përgjigjur pyetjeve se çfarë ka në kontejnerë. Kompania dhe filiali i saj kroat refuzuan të dyja kërkesat e AFP për koment.

Një sinjalizues kishte telefonuar rrjetin e Bazelit për të raportuar se kontejnerët mbanin jo vetëm oksid hekuri, por edhe mbetje toksike.

BAN (Rrjeti i Veprimit të Baselit) i kërkoi Maersk që të ndalonte anijet kur ato ishin pranë bregut të Afrikës së Jugut.

Anijet nuk u përgjigjën dhe fikën transponderët e tyre ndërsa lundronin për në Singapor, sipas BAN. BAN më pas njoftoi autoritetet tajlandeze, të cilët refuzuan të lejonin hyrjen e kontejnerëve.

Në fund të gushtit, 102 kontejnerët në bordin e dy anijeve u nisën për në Evropë dhe mbërritën në Shqipëri në fund të shtatorit, më ekzaktësisht më datë 28.

Që nga dhënia e alarmit, në Shqipëri, prokurorët kanë hapur një hetim për incidentin në bashkëpunim me Zyrën Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) dhe partnerët ndërkombëtarë.

Tani Prokuroria e Durrësit, po verifikon dokumentacionin e plotë dhe autorët e shkeljes së rëndë.

Po ashtu, nga hetuesit në Shqipëri janë marrë edhe mostra nga oxhakët e fabrikës “Kurum” për t’i krahasuar më pas me mostrat që do të merren nga konteinerët. /gazetajonë