Në vitin 2018 Ilir Telhaj kërkoi azil në Zvicër. Ai tregon për emisionin investigativ “Stop” se ka qëndruar në kamp, në azil në Zvicër dhe aty ka patur një përplasje me drejtuesin e kampit. Për këtë shkak e kanë çuar në një klinikë mjekësore, nga ku sipas tij, doli i sëmurë nga mjekimi i panevojshëm.
Iliri thotë se ka patur dëmtime të mëdha psikologjike dhe fizike, derisa e kanë sjellë në Shqipëri ku është mjekuar dhe përmirësuar.
Iliri shprehet se ai donte të ngrinte një padi kundrejt klinikës, por që ta bënte këtë, duhet të kthehej në Zvicër dhe kështu veproi. Kërkoi sërish azil. Shkoi dhe ndoqi procedurat dhe tashmë çështja është në gjykatë.
Iliri kërkon të rikthehet në Shqipëri pasi gjendja e tij nuk është e mirë, por nga autoritetet në Zvicër i kërkohet që të tërheqë denoncimin në mënyrë që të kthehet në Shqipëri. Ai thotë se ndihet sikur është marrë peng.
Denoncuesi: Më ka ndodhur një incident, ku kam mbetur i dëmtuar. Unë kam jetuar në një banesë me njerëz të tjerë edhe kam patur problem me drejtuesin e banesës. Ngaqë nuk po e duroja dot më, kam reaguar dhe i kam hedhur artikujt shkollorë në tokë. Kam marrë policinë në telefon. Kam dhënë versionin tim. Nga ai moment më kanë shoqëruar në komisariat. Nga komisariati më kanë çuar në klinikë, pasi drejtuesi i kampit kishte thënë, sikur unë kam thënë që “dua të ha njerëz dhe t’ju pi gjakun”, fjalë, që s’janë të vërteta. Më çoi në klinikë. Më fusin në izolim. Më japin medikamente, ilaçe me forcë, me detyrim, kundrejt presionit. Ishin rreth 7 doktorë dhe infermierë. Aty kam njoftuar ambasadën që po më japin ilaçe me detyrim, pasi s’po ndihesha mirë. Dy muaj më kanë mbajtur në klinikë.
Gazetarja: Si dole nga klinika?
Denoncuesi: Ndërhynë autoritetet shqiptare dhe më kanë përcjellë me infermier në gjendje të rënduar. U dëmtova, isha në gjendje të rënduar fizike dhe psikologjike. Unë kalova në çmenduri. Kisha dëmtime fizike, kur dola. Unë jam diagnostikuar me çrregjullim skizo-afektiv. Kam filluar trajtimin në Shqipëri, për tu përmirësuar, derisa u bëra mirë.
Gazetarja: Në kamp sa ke qëndruar?
Denoncuesi: Shumë të vështira. Vetëm ushqim të jepnin. Po unë isha mirë fizikisht edhe punoja në pyll me 10 Euro dita.
Unë doja, që të ngrija padi kundrejt klinikës, për mjekim të panevojshëm dhe që të ngrija padi kundrejt klinikës, unë duhet të isha në Zvicër. Para një viti unë kam udhëtuar drejt Zvicrës, kam ngritur një akt-akuzë në polici. Çështja ka vajtur në prokurori. Prokuroria ka thënë që ne nuk shohim diçka kriminale nga ana e klinikës. Çështja është në gjykatë. Unë e kam ankimuar çështjen në gjykatë. Tani unë dëshiroj, për shkak të kushteve të vështira, në të cilat jetoj unë, unë dua, që të kthehem në Shqipëri.
Tani emigracioni më ka dhënë një letër. Në qoftë se ne do të ndihmojmë të kthehesh në Shqipëri, duhet të heqësh akt-akuzën që ke ngritur kundrejt klinikës edhe të mbyllësh çështjen, edhe ne të kthejmë në Shqipëri. Kjo është pengmarrje për mua, në mënyrë që të heq dorë, që të më lëshojnë. Unë kam nevojë për përkujdesje se unë jam me aftësi të kufizuara.
Ekspertja e së Drejtës Ndërkombëtare, Evelina Çelaj shpjegon, se për këtë rast duhet të zbatohen të drejtat e shtatasve dhe nuk duhen bërë gabime të tilla, pasi qytetari nëse është i aftë për të vepruar, sipas dokumentave mjekësore, ai ka të drejtë ta ndjekë çështjen nga Shqipëria.
Eksperte e të Drejtës Ndërkombëtare, Evelina Çelaj: Këtu jemi përballë 2 gjërave të ndryshme. E para e punës është rregullorja dhe kushtet që ka çdo institucion për azilantët në shtetet e BE-së dhe kemi institucionin e gjykatës nga ana tjetër. Pra, në bazë të atyre dokumentave që ne disponojmë, të cilat mund të them që janë të pjesshme, por gjithsesi mund të japim një opinion lidhur me çështjen në fjalë, është se nga ekspertiza mjekësore që mua m’u duk i butë ku thuhet se “pacienti është përgjithësisht i kthjellët në mendime, nuk përbën rrezikshmëri për njerëzit përreth”, por edhe për vete nga ana tjetër, kjo tregon që aq më tepër nuk i është hequr zotësia për të vepruar, kjo tregon se jemi në kushtet kur duhet respektuar neni 6 i Konventës Evropiane për Liritë dhe të Drejtat e Individit, e cila thotë se çdo njeri ka të drejtën e aksesit të lirë dhe pa pengesa në institucionet gjyqësore për të kërkuar të drejtën e vet, aq më tepër kur ai ka të drejtën që të përfaqësohet nga 1 avokat dhe në këto kushte, mund të lëvizë pa u kushtëzuar nga të tilla kërkesa, qoftë brenda shtetit, qoftë në shtete të tjera, apo në shtetin e origjinës. Administrata e kampit nuk mund të jetë penguese në rast se jemi përballë një kërkese nga ana e azilantit për tërheqjen e vazhdimit të qëndrimit në atë kamp. Përsa i përket mënyrës së trajtimit nga ana e institucioneve shëndetësore, duhet pasur kujdes që të mos përsëriten raste të tilla në të ardhmen.
Pas ndërhyrjes së emisionit “Stop”, Tellhaj në njofton, se do të kthehet në Shqipëri. Ai komunikoi me ambasadën shqiptare në Zvicër që i tha se nuk do ta mbyllë çështjen.
Ilir Telhaj: Fola me Ambasadën, janë ndikuar nga emisioni Stop. Më thanë, që nuk do ta mbyllësh çështjen. Do të lejojmë që të shkosh në Shqipëri. Po presim përgjigjen nga klinika, për raportin tim mjekësor, për gjendjen time edhe brenda dy javësh, do fillojnë procedurat për kthimin. Shumë faleminderit. Nuk di, si t’jua shpërblej.