Nata e parë e Vitit të Ri nisi me programin aq të dashur për të gjithë teleshikuesit e News24 “Dola te Ola”. Në këtë mbrëmje festive ishte e ftuar një nga këngëtaret më të mira të muzikës shqiptare, Eli Fara.
Këngëtarët zakonisht në ditët e festave të fundvitit nuk janë pranë familjarëve, por në aktivitete muzikore brenda ose jashtë vendit, duke dhuruar momente të paharrueshme për artdashësit e tyre. Lidhur me këtë Eli Fara rrëfeu se viti i parë që ajo festoi pranë familjes ishte në kohën e pandemisë Covid 19, kur të gjitha lokalet ishin mbyllur dhe muzika nuk lejohej.
Eli mes emocionesh kujtoi se atë vit ajo pati mundësi të festojë me nënën e saj, ndërsa pas disa muajsh fatkeqësisht ajo ndërroi jetë. Artistja rrëfeu se boshllëku që largimi i nënës ka lënë tek ajo është i madh dhe ndjesinë që i ka lënë, nuk beson se do ta kalojë ndonjëherë.
“Më iku drita e shpirtit”, tha ajo, teksa shtoi se i ngjan së ëmës, por tani që nuk e ka më, dëshira është e madhe që t’i ngjajë sa më shumë. “Tani që nuk e kam, kërkoj ta gjej atë te vetja ime”, tha Eli Fara.
Këngëtarja tregoi se të dy prindërit e saj kanë patur një zë shumë të bukur, dhe gjithmonë këndonin kur ata mblidheshin në festat familjare. Faktin që Eli këndonte, ata e pëlqenin shumë dhe këngëtarja kujtoi mbrëmjet kur kalonte me të atin duke kënduar.