Janë zbardhur dëshmitë në Polici, për ekzekutimin e 51 vjeçarit Petrit Vuksani brenda banesës së tij në Shkodër, nga i afërmi i tij, Lekë Vuksani, i cili qëndronte me qira në banesën e viktimës.
Para grupit hetimor, autori Lekë Vuksani ka deklaruar se njihej me viktimën pasi të dy janë nga Dukagjini, teksa ka pranuar se kishin konflikte për pagesat e qirasë, por edhe për pagesat e dritave dhe ujit.
Ditën që ndodhi krimi, Lekë Vuksani tregon se Petrit Vuksani e ka nxjerrë nga shtëpia ditën e krimit, teksa është kthyer sërish e ka gjetur vetëm në banesë dhe kanë debatuar. Ai thotë se automatikun e ka gjetur në banesë dhe ka qenë i Petrit Vuksanit.
Lekë Vuksani ka pranuar autorësinë e vrasjes dhe debatet, por pa e firmosur dëshminë e tij.
“Me Petritin jemi njohur sepse edhe ai është nga Dukagjini. I kam marrë shtëpinë me qira duke qenë se ndodhej në Angli. Muajt e fundit kemi patur disa debate për qiranë e shtëpisë por edhe për pagesat e ujit dhe të energjisë elektrike. Atë ditë kur ndodhi vrasja Petriti erdhi dhe më nxori nga shtëpia. Unë u ktheva dhe e gjeta vetëm. Aty kemi debatuar dhe në debat e sipër gjeta një automatik që nuk është i imi, por i Petritit. Në debat e sipër kam marrë armën dhe e kam qëlluar”, mësohet të ketë thënë autori i dyshuar i vrasjes në bisedën e lirë me efektivët.
Pavarësisht pretendimit se arma e krimit është e viktimës, policia ka prova se armën e solli autori i dyshuar me vete dhe se ishte e tij.
Ndërkohë mësohet se vëllai i autorit të dyshuar ka bashkëpunuar që nga momentet e para me policinë vendore të Shkodrës sepse vëllai i autorit ka një miqësi të ngushtë me vëllain e viktimës.
“Unë e kam njohur Petritin, por edhe vëllain e Petritit e njoh dhe e kam shumë shok. Unë nuk kam qenë aspak në dijeni për vrasjen që do të kryente vëllai im sepse po ta kisha ditur do bëjë maksimumin për ta parandaluar. Më vjen shumë keq për çfarë ka ndodhur sepse kisha miqësi me familjen e viktimës”, deklaroi vëllai i autorit të dyshuar të vrasjes.
Një dëshmi ka dhënë edhe gruaja në të cilën shkoi pas vrasjes shtetasi Lekë Vuksani. Autori i dyshuar i vrasjes e njihte atë zonën sepse më përpara në një shtëpi përballë kishte qëndruar me qira vëllai i tij. 34-vjeçari sipas dëshmisë së gruas pasi është futur në banesë me armë në dorë i ka thënë se nuk të bëj asgjë.
“Leka erdhi në banesën time dhe u fut brenda pasi më kërkoi t’i hapja derën. Kur u fut shoh që kishte armën në dorë dhe nuk dija si të veproja. Leka më tha se nuk do të bëj asgjë ndaj mos u tremb, kam ardhur vetëm për të qëndruar këtu. Nuk e dija se çfarë të bëja sepse ishte errësirë. Më tha që të mos tregoj se ndodhej aty deri sa erdhi policia dhe e arrestoi. Pavarësisht se më tha që të mos kem frikë, isha e frikësuar edhe pse gjatë kohës që qëndroi bëri një sjellje normale”, deklaroi gruaja në banesën e të cilës qëndroi për disa orë autori i dyshuar i vrasjes.