Arte Nikolla 66 vjeç , mes lotësh kërkon nga krerët më të lartë të shtetit që t’i heqin pasaportën shqiptare. Pas kësaj kërkese në dukje ekstreme, fshihen përpjekjet e saj të vazhdueshme për të pasur një shtëpi.
Nikolla thotë për televizionin ‘Fax News’ se ajo mbeti e pastrehë në vitin 2017, pasi shteti mori hyrjen që ajo kishte në një pallat në Qytetin e Laçit, saktësisht te ish-shtëpia e Oficerëve, për ta shndërruar në ambient zyrash.
Ajo thekson se asokohe, ashtu si familjet e tjera në atë pallat, shpresonte që të merrte kredi të butë dhe të mos ngelej rrugëve, por një gjë e tillë nuk ndodhi. “Kam çuar 100 herë dokumentet e mia në bashkinë Kurbin, kam kryer shumë takime në banka, më lanë rrugëve”-thotë ajo. Asnjë institucion nuk i dha zgjidhje, duke e lënë të moshuarën prej 6 vitesh të pastrehë.
“Jam Arte Nikolla, nënë 3 fëmijëve nga Laçi, lagjia nr.2 e qytetit. Kam jetuar për 20 vite me rradhë te Ish-shpia e Oficerave, kam hy me letra të rregullta nga Këshilli i rrethit dhe Bashkisë. Pas kaq kohësh na ka ardhur një urdhër për statusin si të pastrehë, me bo letrat për kredi të butë.
Më erdhën letrat për kredi të butë, i kam plotësu dhe Tirana mi ka aprovu të gjitha, më ka marrë në telefon BKT-ja, që të paraqitesha.
Unë i kam shkuar në zyrë kryebashkiakut dhe i kam thënë të lutëm jam nënë me fëmijë, kryefamiljare e rrugëve mos më le. Më tha që nuk do më linte pa shtëpi. Sot e asaj dite jam pa shtëpi, derë më derë. Rrobat e mia janë nëpër magazina të qytetit të Laçit. Jam e divorcuar, 2 fëmijët kanë krijuar familjet e veta dhe djali i vogël s’ka shtëpi. Jo se më kanë nxjerrë jashtë por nuk kanë ku më mbajnë me një dhomë e kuzhinë.
Herë flej te njëri, herë te tjetri, nëpër farefis, s’kam asnjë rrugëzgjidhje. Kam hyrë në vitin 1997 në atë shtëpi dhe kam dalë në 2017, sepse shteti donte të bëntë zyra aty. Është shemb tani, ka pas probleme. Personat që kanë jetuar aty të gjithë janë trajtuar me kredi të butë, ndërsa unë nuk e kam marrë se nuk plotësova kriteret. Kanë ikur prej aty ata.
100 herë kam dorëzuar dokumentet e mia në bashkinë e Kurbinit, më vjen keq se jam qytetare e Laçit e s’më kanë trajtuar asnjëherë. Më kanë gjet mbiemrin e ish-burrit për mos me m trajtu, ndërkohë që unë jam divorcuar në vitin 1982, si u gjet në 2018?
Pas 40 vitesh gjendet një mbiemër? Unë kam jetu këtu, dhe këta më thanë se kam të drejtë vetëm 1 vit qera. Tirana ma verifikoi kredinë, u gëzova shumë asokohe se do merrja shtëpi, pas 5 ditësh kam shkuar te banka dhe më thanë ta ka ndal Tirana. Jam e sigurt se dikush e merr atë kredi të butë, jam 66 vjeçe, s’jam e zonja ta gjej.
I drejtohem presidentit, kryeministrit sepse askush nuk më trajton me asnjë lloj të drejte, dua një letër të më heqin pasaportën shqiptare. Është e rëndë por edhe unë po bëj 6 vite rrugëve. Dua një krevat të flej, i kam rrobat nëpër ujë”-u shpreh Nikolla.