Mbreti’ shqiptar i drogës është bërë krimineli i parë i dënuar në Angli, që u ekstradua në vendin tonë, si pjesë e marrëveshjes së shkëmbimit të të burgosurve.

Fjala është për Klodjan Çopjan, 36 vjeç, i cili do të vijojë burgimin prej 17 vitesh të mbetura në Shqipëri, duke i shpëtuar taksapaguesve britanikë dhjetëra mijëra paund.

Ai u burgos në vitin 2017, pasi policia shkatërroi një rrjet trafikimi kokaine që kishte pushtuar juglindjen e Londrës.

Çopja kaloi katër vjet në arrati para se të kapej në kufirin Greqi – Shqipëri me një pasaportë false dhe të ekstradohej në Britani për t’u gjykuar.

Burime të Drejtorisë së Burgjeve Shqiptare konfirmuan se transferimi i tij u bë pak javë më parë.

“Ai u arrestua si rezultat i një hetimi të Policisë Metropolitane në rrjetin e furnizimit me kokainë në Mbretërinë e Bashkuar dhe u zbulua se qëndronte pas importit të 60 milionë paundëve drogë.

Por rrjeti i tij ultra i dhunshëm i bashkëqytetarëve shqiptarë nga Elbasani kishte importuar deri në 150 milionë paund kokainë në Britani”.

Kujtojmë se, si pjesë e marrëveshjes me Shqipërinë, mbi 100 shpërndarës droge, 12 vrasës dhe tetë përdhunues, pritet të rikthehen në Shqipëri, për të përfunduar dënimin./Marrënga The Sun