Nga Denis Dyrnjaja
Reaksion i madh në rrjetet sociale e portale nga njerëzit për një vajzë që quhet Megi Pojani, një produkt i kohës sesksiste që jetojmë dhe evokohet me bollëk në media.
E ku është problemi që ka plasur gjithë ky duf i madh se kjo showgirl përçmon apo dhe përdhos të vdekurit?! Jetojmë në epokën e bastarditetit total.
A nuk jeni te gjithë aktorë e spektatorë të këtij bastarditeti përditë e për natë duke ndjekur ethshëm famën e injorancës dhe sharlatanëve?!
A nuk adhurohet me okë ky bastarditet në të gjitha dimensionet?! Çfarë ka amorale në këtë normalitet, anormaliteti ku frymojmë?!
Gjithçka është e pritshme madje dhe e suksesshme në skenën publike që tanimë e kanë zaptuar të pacipët, që mund të bëjnë çdo gjë për vëmendje, klikime e përfitime.
Pra jeni po ju ndjekësit dhe duartrokitësit e tyre që po befasoheni sot. Në fakt për t’u çuditur është indinjata juaj kolektive, se ajo që ka bërë kjo vajzë është vetëm një sekuencë e asaj çka shoqëria shqiptare është sot në tërësi e në shumicë, çfarë kërkon e çfarë preferon ajo.
Kështu që i gjithë ky duf është thjeshtë një hipokrizi kolektive. Ky është vetëm një miniakt ku të gjithë në një mënyrë a në një tjetër, kanë pjesën dhe rolin e tyre shoqëror. Megi është një numër në shumatoren e aktorëve dhe spektatorëve në Big Brotherin e madh të Shqipërisë.
Ndaj nuk ka përse të indinjoheni, përkundrazi duhet të gëzoheni që ka ardhur kjo dite, ku ata/o që adhurohen njëkohësisht edhe urrehen. I kujt është problemi i atyre apo i juaji?! Megi dhe gjithkush si ajo, janë ata që aq dinë dhe aq bëjnë.
Po ju që i ndiqni dhe admironi kush jeni?!