nga Mero Baze
Bie plotësisht dakord me gjithë reagimin e Kryeministrit Edi Rama. Jam dakord dhe jam I kënaqur që projekti I kullës është bërë me konkurs ndërkombëtar dhe ka fituar projekti më I mirë. Shumë I bukur është .
Dhe shumë mirë që qenka gëzuar dhe ai djali nga Elbasani që këtu në Shqipëri nuk ka korrupsion.
Bie plotësisht dakord që Shqipëria ka marrë një ritëm të jashtëzakonshëm zhvillimi në fushën e ndërtimeve dhe sidomos infrastrukturës për turizëm, çka në një farë mënyre po I del para fluksit në rritje të papërballueshme të turizmit në Shqipëri.
Dhe shumë mirë që kryeministri e ka shqetësim personal këtë dhe thërret studio të famshme arkitekture që u di dhe sa punonjës kanë. Dhe shumë mirë që këta shqiptarët miliarderë që do ta ndërtojnë Kullën, nuk ja tregojnë sa punëtorë kanë .
Bile plotësisht dakord dhe me sulmin e tij ndaj gjithë kritikëve të kullës, ndaj Lulzim Bashës që e çon në SPAK, (edhe pse një nga ndërtuesit e Kullës është në hetim nga SPAK) ndaj Arlind Qorrit që është kundër kapitalizmit, ndaj të tjerëve që dyshojnë për pazare politike etj.
Dhe shumë mirë ma ka bërë dhe mua që kam dashur të bëj pis Shkëlzenin, duke i prishur rehatin Mëhallës së Kullës në Rolling Hill, vetëm për faktin se këta që kanë vënë emra si ndërtues janë zara të tij.
Bie dakord dhe me Shkëlzenin që falënderon Edi Ramën që ua tregoi vendin të gjithëve që kanë probleme me Kullën.
Por e vetmja gjë që nuk kuptoj është përfundimi i Edi Ramës që të mos merremi me thashetheme se kush qëndron pas investitorëve që kanë nofka në vend të mbiemrit.
Këtu e ka tepruar pak, se më çon dëm gjithë autokritikën, duke pranuar se ka frikë që i del emri Shkëlzenit.
Se unë vetëm kaq kam problem, që Shkëlzeni është investitori i fshehtë i Kullës. Dhe jo vetëm unë. E kanë problem miliona shqiptarë që e kanë nxjerrë “non grata” me vota Sali Berishën, njësoj si aleatët tanë strategjik, që e kanë nxjerrë me ligj./Tema/