Një 26-vjeçar është vënë në pranga në Elbasan.

Mësohet se ai ishte shpallur në kërkim nën akuzën për mashtrim. Policia bën me dije se i riu merrte makina me qira dhe nuk i kthente.

Policia ka gjetur dhe sekuestruar 2 mjete. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Policia e shtetit:

Elbasan/Finalizohet operacioni policor i koduar “Rental”. Ishte shpallur në kërkim pasi kishte marrë me qira 2 automjete, me anë të mashtrimit, kapet dhe vihet në pranga 26-vjeçari. Gjenden dhe sekuestrohen 2 automjetet.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në çdo formë të shfaqjes së tyre dhe për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar në inteligjencën informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Rental”. Si rezultat i këtij operacioni, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Korçë, u bë e mundur kapja në Korçë dhe ndalimi i shtetasit:

H. K., 26 vjeç, banues në fshatin Bilisht. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim për veprën penale “Mashtrimi”, pasi: më datë 27.09.2024, në qytetin e Elbasanit, në subjektin për dhënien e automjeteve me qira, në pronësi të shtetasit A. K., ka marrë me qira një automjet duke bërë vetëm një pjesë të pagesës, por më pas nuk e ka kthyer automjetin siç parashikohej në marrëveshjen me shtetasin A. K.;

më datë 01.10.2024, në qytetin e Elbasanit, në subjektin për dhënien e automjeteve me qira, në pronësi të shtetasit E. M., ka marrë me qira një automjet duke bërë vetëm një pjesë të pagesës, por më pas nuk e ka kthyer automjetin siç parashikohej në marrëveshjen me shtetasin E. M..

2 automjetet që kishte marrë 26-vjeçari në këto 2 subjekte janë gjetur dhe janë sekuestruar nga Policia. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.