“Nuk mbahem peng nga askush, kam respektuar drejtësinë pavarësisht se është sakrificë nga ana ime. I kam respektuar sepse besoj se çdo vendim edhe si pasojë e deklaratave të mia është vendim jo i drejtë. Kam heshtur në respekt e pastaj do flas”.
Kjo deklaratë e Saimir Tahirit tre vite më parë duket se u rikthye pasditen e sotme me një mesazh të koduar nga avokati i tij, Maks Haxhia që foli pas vendimit të gjykatës që e dënoi ish-ministrin e Brendshëm me 3.4 vite burg për shpërdorim detyre.
Më shumë se ironi për reformën në drejtësi, deklarata e Maks Haxhisë i ngjan një paralajmërimi nga “goja” e Saimir Tahirit.
“Nëse reforma në drejtësi për korrupsion do të aplikohet si ndaj Tahirit, e them edhe si sarkazëm, por merreni si të doni, politikanët duhet të vishen trashë në dimër”, tha Haxhia.
Por, a ka ardhur momenti që Saimir Tahiri të flasë hapur? Avokati i tij tha se dënimi ishte për të kënaqur disa njerëz, por kush janë këta? A do të flasë ish-ministri me emra?
“Asgjë s’ka vlerë tjetër në rrugën time për të bërë drejtësi. Nuk e besoj se ka bir nënë e bir kurve që do më pengojë” thoshte Tahiri në 2018. Po tani? A ka ardhur momenti që ish-ministri të tregojë shokët?