Një efektive e patrullës në Komisariatin nr. 1 në Tiranë së bashku me kolegun e saj, mbrëmjen e së mërkurës, kanë gjetur një armë zjarri brenda automjetit të shërbimit.

Punonjësja ka humbur një send personal dhe ka kërkuar së bashku me kolegun mjetin, me synim për ta gjetur.

Në pjesën e poshtme të sediljes së pasagjerit kanë gjetur një çantë të zezë meshkujsh të mbuluar me pluhur, e cila mund të ketë qenë aty prej disa kohësh. Pasi e hapën, brenda saj kanë gjetur një pistoletë TT.

Arma është dërguar në Laboratorin e Policisë Shkencore për ekspertizë dhe shenja gishtash. Dyshimet e para janë se arma mund të jetë lënë nga ndonjë person i shoqëruar që ka qenë i armatosur.

Ai dyshohet se ka përfituar nga mungesa e vëmendjes së efektivëve dhe e ka fshehur, duke iu shmangur kështu edhe akuzës për “armëmbajtje pa leje”.

Akoma nuk dihet sesa kohë ka patur arma e fshehur brenda makinës së policisë ndaj hetuesit nuk kanë akoma ndonjë emër të dyshuar. Hetimet po ndiqen edhe nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, për shkak se arma është gjetur nga policë.