Mjaft o maskarenj! SPAK është i mirë kur arreston kundërshtarin dhe i keq kur kap korrupsionin tuaj?
Editorial-Gazeta Jonë
Sot, Shqipëria u bë dëshmitare e një momenti të rrezikshëm për Reformën në Drejtësi. Kryeministri Edi Rama, njeriu që dikur e mburrej si arkitekti dhe mbështetësi kryesor i SPAK dhe drejtësisë së re, sot vendosi një standard të ri dhe të rrezikshëm në raportet me institucionet e pavarura të drejtësisë. Me sulmet dhe shantazhet e tij të hapura ndaj prokurorëve të SPAK dhe gjyqtarit Erjon Bani, i cili dha vendimin për arrestimin e Erion Veliajt, ai jo vetëm i dha një goditje drejtësisë së re duke frikësuar jo pak qytetarët e ndershëm të këtij vendi të rrafshuar nga korrupsioni.
Më alarmante se gjithçka ishte gjuha që Rama zgjodhi të përdorë. Për herë të parë, ai doli hapur kundër drejtësisë, duke përdorur të njëjtat metoda si Sali Berisha në sulmet ndaj SPAK.
Ai jo vetëm kërcënoi prokurorë dhe gjyqtarë, por edhe i ekspozoi ata si objektiv sulmesh politike dhe publike, një praktikë që dikur ai vetë e ka ironizuar teksa ironizonte “qytetarin digjital” të Berishës. Por sot, ai e përdori të njëjtën teknikë, duke lexuar mesazhe anonime nga qytetarë, të cilat pretendonin të ekspozonin drejtësinë si të kapur.
Prej vitesh, Sali Berisha ka drejtuar bateritë kundër Altin Dumanit dhe GJKKO-s, duke tentuar të denigrojë dhe delegjitimojë vendimet që kanë goditur korrupsionin dhe krimin. I njëjti qëndrim ka ardhur edhe nga Ilir Meta, i cili nuk ka kursyer sulmet ndaj SPAK, megjithëse ai vetë dhe partia e tij e votuan reformën në drejtësi.
Por ndërsa nga Berisha dhe Meta kjo ishte e pritshme, rasti i sotëm me Edi Ramën është alarm i kuq. Nëse edhe kryeministri i vendit, ai që e promovoi reformën, i bashkohet sulmeve ndaj SPAK, këto institucione nuk rrezikohen vetëm nga presionet politike, por edhe presioni financiar.
Prandaj duhet të themi STOP!
Sulmet ndaj SPAK dhe reformës në drejtësi janë sulme kundër së ardhmes së Shqipërisë.
SPAK është ndoshta gjëja më e bukur dhe më e ndershme që i ka ndodhur këtij vendi në 100 vitet e tij si “gjysëm-shtet”.
Drejtësia duhet të jetë e pavarur, e mbrojtur dhe e mbështetur, jo e shantazhuar dhe e poshtëruar nga ata që dje e votuan dhe sot duan ta ndalin.
Boll më O MASKARENJ!
Shqipëria meriton një të ardhme pa frikë dhe pa pandëshkueshmëri. /gazetajonë