Nga Mentor Kikia

Cilët janë problemet më të mëdha për shoqërinë dhe ekonominë tonë? Mund të nxitojmë të gjithë të rendisimin nga një listë dhe koha nuk do të na mjaftojë për ta bërë këtë.

Por mund të nxirrnim në krye paralajmërimin që bëri Presidenti i Bankës Botërore David Malpass. Ai foli gati-gati për një krizë urie në nivel global, si pasojë e luftës në Ukrainë dhe sanksioneve në shkallë të gjerë ndaj Rusisë. “Është një katastrofë njerëzore, që do të thotë se niveli i ushqimit po ulet. Kjo më pas bëhet një sfidë politike për qeveritë që mesa nuk mund të bëjnë asgjë për të” – tha ai gjatë takimeve të FMN-Bankës Botërore në Uashington. Shqipëria tregoi se është një vend që ndikohet në mënyrë të menjëhershme nga krizat globale, dhe ajo nuk ka asnjë lloj imuniteti në këtë drejtim.

Mund të rendisim problemin e madh të largimit të shqiptarëve nga vendi, braktisjes së zonave rurale, mpakjen dhe plakjen e popullsisë në mënyrë drastike. Në vitrinat e shumë dyqaneve gjen sot njoftime “Kërkojmë punëtorë”. Ndërmarjet të shumta janë gjithashtu në kërkim të punëtorëve, ndërsa faqet online të punësimit në Gjermani janë shumë të klikuara. Fushat e këtij vendi janë mbushur me shtëpi të bukura, por brenda tyre ose nuk ka njerëz, ose jetojnë çifte të moshuarish. Nuk do të jetë e largët dita kur në këtë vend të ketë më shumë nevojë për azile sesa për shkolla. Bombës sociale i është ndezur fitili.

Mund të rendismin ndryshimet e klimës. Njerëzimi është vënë sot para sprovës së madhe të përshtatjes për mbijetesë, ndryshe e pret asimilimi natyror. Padyshim që ne nuk mund të bëjmë asgjë për ta frenuar këtë fenomen global, por mund të bëjmë që të përshtatemi. Të përshtasim bujqësinë, çfarë të mbjellim, ku dhe kur ta mbjellim, mënyrën e jetesës, të dimë se ku dhe si do ta orientojmë zhvillimin e sektorit të energjisë. Do tu shkojmë pas rrjedhave të ujit që vijnë duke u pakësuar, do të vazhdojmë të punojmë për të blerë energji gjithnjë e më shumë, apo do të kërkojmë e ndërtojmë burime alternative të reja.

Lista mund të jetë e gjatë dhe gjithkush mund të rendisë të tjera problem. Por nuk është kjo më e rëndësishmja. Ai që është problem më i madh është se në axhendën e politikës nuk është asnjë problem nga ata që i janë varur në qafë shoqërisë dhe vendit.

Seanca plenare e kësaj të enjteje dëshmoi se sa mjerim ka në mjedisin tonë politik dhe në institucionet ku qeveriset dhe ku prodhohen ligjet.
E gjithë seanca ishte një teatër absurd replikash. Mazhoranca socialiste tashmë ka gjetur objektivin e preferuar për të adresuar luftën politike. Dhe ai është Sali Berisha. Çdo akuze që vjen nga opozita, qeveria i përgjigjet duke drejtuar gishtin nga Berisha. Akuzat për raportin e fundit të DASH për korrupsion ndaj qeverisë, u shndërruar në një debat se kush e tund më mirë flamurin amerikan. “E kuptoj që diku do kapeni, kapuni pas flamurit të PD se flamurin amerikan ka kush e kap. Mundohuni ta ngrini flamurin e partisë demokratike se e keni bërë si ata çarçafët e shtëpive të qejfit. Mos na tregoni ne se nga çfarë duhet të distancohemi, ne dimë shumë mirë se çfarë bëjmë dhe mos na e qani hallin ne për marrëdhëniet me Amerikën. Lojërat e brendshme me flamur amerikanë ju bëjnë vetëm qesharakë”- i tha Rama deputeteve të PD-së, duke lënë të kuptohet se aleatët e Amerikës janë ata tani, dhe ky vend është i zënë. Asnjë ide nuk gjenerohet, asnjë problem nuk shtrohet, në përpjekje për ti gjetur një zgjidhje.

Nuk diskutohet në parlamentin tonë se çfarë duhet të bëjmë në për të zbutur disi krizën e ushqimit që mund të godasë tregjet.
Nuk organizohen debate për të parë se çfarë kapacitetesh kemi apo mund të angazhojmë ne si vend, për të orientuar veprime të ngutshme në këtë drejtim.
Nuk diskutohet për pasojat e klimës në bujqësi, energjitikë, mjedis etj.
Nuk diskutohet për përmirësimin e arsimit, për ti dhënë gjeneratave të reja një mundësi më shumë. Nuk diskutohet për mungesën totale të kërkimit shkencor, për të orientuar politikat dhe strategjitë e zhvillimit.
Mediat transmetojnë gjatë gjithë ditës debate: Sali majtas, Sali djathtas.

Çfarë mjerimi dëshpërues!