Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të mblidhet sot në orën 11:00 në Kryesinë e Kuvendit për të shqyrtuar mocionin e 14 deputetëve të opozitarës, të cilët kërkojnë konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit socialist Vullnet Sinaj. Kjo kërkesë e PD-së, e cila e akuzon Sinajn se ka përfituar para publike me bizneset e tij, do të shqyrtohet nga Këshilli i Mandateve dhe më pas pritet që t’i kalojë seancës plenare për votim.
Në mocionin e dorëzuar nga deputetët opozitarë, thuhet se Sinaj ka shkelur Kushtetutën, pasi ka përfituar fonde publike në kundërshtim me pikën 3, të nenit 70 të Kushtetutës, i cili ndalon deputetit që të përfitojë pasuri publike. Ndërkohë që vetë Sinaj pretendon se nuk ka marrë asnjë shumë nga buxheti i shtetit përmes bizneseve të tij.
“Nuk kam përfituar nga buxheti i shtetit asnjë lek, as kur nuk kam qenë deputet, as kur jam zgjedhur deputet. Për më tepër, dhuroj prej vitesh rrogën mujore të deputetit për të ndihmuar njerëz në nevojë dhe as më shkon mendja të përfitoj financiarisht nga buxheti i shtetit”, ka thënë më herët Sinaj në një reagim të tij.
Opozita pretendon se ekzistojnë 30 prova se si si ligjvënësi i maxhorancës ka përfituar para nga buxheti i shtetit nëpërmjet kompanive të tij gjatë kohës së ushtrimit të mandatit të deputetit.
Socialisti nuk i ka tjetërsuar aksionet, por i ka transferuar te persona të tjerë, dhe për këtë arsye demokratët akuzojnë se ai asnjëherë nuk ka humbur të drejtën e pronësisë mbi kompanitë e tij dhe marrjen e fitimeve.
Demokratët shprehen se pronësia mbi këto kompani dhe fakti që fitimet kanë shkuar si divident për vetë deputetin Vullnet Sinaj rezulton i provuar edhe nga deklaratat vjetore të deklarimit të pasurisë nga ana e tij.
Firmosësit e mocionit pretendojnë se janë të paktën 9 transaksioneve të verifikuara nga thesari i shtetit në shumën totale 3.689.814 lekë që kanë shkuar si pagesa për shoqëritë “BIGALB GROUP” sh.p.k., “BIG LISUS” sh.p.k., “BIG DURRËSI” sh.p.k., “BIG PESHKOPIA” sh.p.k., “BIG ROI” sh.p.k., “BIG LEO” sh.p.k., “BIG LEZHA” sh.p.k., “BIG DRINI” sh.p.k., “BASHKIMI” sh.p.k., “TIRANA CASH & CARRY” sh.p.k.