Këshilli i Mandateve, Rregullores dhe Imunitetit ka vendosur për autorizimin e kërkesës së SPAK për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.

Mes 6 votave pro, pesë i përkisnin përfaqësuesve të Partisë Socialiste në Këshillin e Mandateve dhe një votë i takonte deputetit demokrat Enkelejd Alibeaj.

Tashmë pritet që relacioni të përgatitet dhe t’i shkojë Kuvendit ku do të votohet në seancën plenare të 21 dhjetorit.

Ish-kryeministri nuk ishte i pranishëm gjatë mbledhjes së Këshillit të Mandateve, por u mbrojt nga dy avokatët e tij, të cilët pretenduan për shkelje të Kushtetutës në dhënien e masës nga SPAK ndaj klientit të tyre.

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar ndryshimin e masës nga “detyrim paraqitje” në “arrest në shtëpi” për ish-kryeministrin Berisha, me argumentimin se shkeli dy herë masën e parë duke mos u paraqitur çdo ditë të hënë në ambientet e SPAK.

Berisha është i pandehur për aferën e privatizimit të ish-kompleksit sportiv Partizani, ku dhëndri i tij ka ndërtuar dhjetra pallate. Sa i përket Jamarbër Malltezit, GJKKO vendosi ndryshimin e masës nga “arrest në burg” në “arrest në shtëpi”.