Zbardhen përgjimet ambientale që çuan në arrestimin e Esmerald Ballës dhe zbulimin e krimit që tronditi vendin, duke përsëritur edhe njëherë skenarin ku djali vret babanë. Në një pjesë të dosjes së publikuar nga “ReportTv”, teksa kanë qenë në ambientet e paraburgimit, Esmeraldi ka komunikuar me mikun e tij, Edison Brahaj, duke e këshilluar që të mos rrëfehej.

“Mos i ha provokimet nga Policia. Se mos ke treguar se ku e kemi fshehur pistoletën. Jemi marrë vesh shumë mirë për njëri-tjetrin,”-është zbardhur nga biseda mes tyre. Por duket se Brahaj ishte zhgënjyer nga miku i tij, duke i përmendur edhe njëherë paratë që ia kishte premtuar për ndihmën që i kishte dhënë për të zhdukur kufomën e të atit.

“Pse s’mi le lekët te bunkeri, por më detyrove të vij deri këtu”. Gjatë kontrollit të banesës së Brahajt, Policia gjeti 145 mijë lekë të reja, nga ato që mendohet se ishin 200 mijë (të reja) në total. Paratë i riu i kishte marrë si pagesë për ndihmën që i kishte dhënë shokut për fshehjen e kufomës së 62-vjeçarit në pus.

Për ngjarjen e rëndë, Esmerald Balla akuzohet për 3 vepra penale të “vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”, e parashikuar nga neni 79/C i Kodit Penal, “mbajtje pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” në Nenin 278/3 dhe “fshehja dhe asgjësimi i kufomës”, Neni 303 i Kodit Penal. Ndërsa bashkëpunëtori i tij, Edison Brahja akuzohet për veprat penale “moskallëzim krimi”, “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” dhe “fshehja dhe asgjësimi i kufomës”, të parashikuara nga Nenet 300, 301 dhe 303 të Kodit Penal.