Na “nderoi” me Rrugën e Arbrit, oligarku Rrok Gjoka merr tenderin 25 milion euro me “karton të kuq”
Monitorimi me kamera i 200 kilometrave rrugë në Shqipëri do t’u kushtojë shqiptarëve gati 25 milionë euro.
Drejtori i ARRSH-së, Evis Berberi ka firmosur një nga tenderat më të majmë që prej marrjes së detyrës. Në datë 6 Prill, ARRSH i ndalu lekët për tenderin e monitorimit të trafikut (200 km) faza e parë.
Gjashtë kompani dorëzuan ofertat në këtë tender, por pesë prej tyre u skualifikuan. Mes të skualifikuarave janë edhe Gener 2 e oligarkut Bashkim Ulaj dhe ajo kompania e oligarkut tjetër, Pëllumb Salillari.
3 oferta nuk kanë dorëzuar fare dokumentacion në ARRSH, ndërsa Salillari është skualifikuar për mosplotësim kriteresh, ndërsa Gener 2 për mosdorëzim të një shkrese që të provonte bashkëpunimin me një tjetër operator ekonomik me të cilin kishte dorëzuar ofertën e përbashkët.
Arsyet e përjashtimeve të pesë ofertave të mbetura sugjerojnë se ka pasur një dakordësi mes oligarkëve për t’ja lënë këtë tender Rrok Gjokës, oligarkut që vijon të marrë miliona euro nga Rruga e Arbrit.
Fitues u shpall bashkimi i operatorëve MCN NETWORKING – INTETRA ELEKTONIK SANAYI VE TICARET ANONIM SIRK. – GJOKA KONSTRUKSION. Vlera që ofruan ishin afërsisht kokë më kokë me fondin limit, 2.1 miliardë Lekë (2 125 576 214,00) për të ngritur stacionin e monitorimit qendror të trafikut me afat zbatimi 24 muaj në total.
Në treshen e bashkimit të operatorëve bashkë me “INTETRA ELEKTONIK SANAYI VE TICARET ANONIM SIRK” është edhe “GJOKA KONSTRUKSION” e biznesmenit të njohur Rrok Gjoka, oligarku i njohur i tenderave të punëve publike që ende nuk ka përfunduar Rrugën e Arbrit.
Tenderi 20 milionë Euro është kapur me flamur të kuq nga faqja që monitoron prokurimet publike në vend. “Openprocurement” ka ngritur sinjalin e kuq për shkak të skualifikimit të të gjithë operatorëve konkurrues q ishin në garë përveç fituesit.
Lidhjet e Gjokës me Autoritetin Rrugor Shqiptar të drejtuar nga Ervis Berberi tashmë janë një sekret publik, aq sa kompania e oligarkut përfiton nga buxheti edhe tendera e pagesa për punë që kryhen nga dy herë në Rrugën e Arbrit, siç ishin tenderat e shtatorit të vitit të kaluar me 20 mln euro në total për skarpatet në Shkallën e Tujanit dhe në Plan të Bardhë.