Ndahet nga jeta në moshën 89-vjeçare kineasti Kristaq Dhamo. Aktori dhe regjisori Dhamo ndodhej prej muajsh në gjendje të rëndë shëndetësore, por ndërroi jetë sot në SHBA. Dhamo lindi më 20 Pril 1933 në Fier, e mbasi mbaroi liceun artistik “Jordan Misja”, vazhdoi studimet në Institutin e Lartë kinematografik në Budapest, Hungari. Në vitin 1956, filloi punën në Kinostudio “Shqipëria e Re”, e një vit më pas xhiroi filmin e parë shqiptar “Tana”.

Këtë të fundit e paraqiti si punë diplome në Budapest. Ndërsa së bashku me Gëzim Erebarën xhiruan filmat dokumentarë: “Ne u dashuruam me Shqiperine” (1959); “Ansambli i Kengeve dhe Valleve” (1960). Filmi i tij i parë që bëri jehonë ishte “Vitet e para” (1965), i cili u nderua me Çmimin e Republikës. Më pas, shkëlqeu me filmat: Mëngjese lufte (1971); “Nga mesi i errësirës” (1978); “Qortimet e vjeshtës” (1981), etj.

Krijimtaria e tij është nderuar disa herë me çmim republike, disa çmime të dyta në Festivalet e Filmit Shqiptar si dhe me Çmimin “A. Moisiu” per filmin “Botë e padukshme” (1987). Po ashtu, u nderua me titullin e lartë “Artisti i Popullit” .