Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur pak kohë më parë në Kishën e Shën Kozmait në qytetin e Elbasanit.
Një person që ishte futur brenda kishës si besimtar ka shfrytëzuar menjëherë rastin dhe është nisur drejt altarit, me synimin e qartë jo për t’iu lutur Zotit që t’i falte mëkatet, por të mëkatonte në altarin e kishës duke vjedhur.
Duke mos e ditur se ambienti monitorohej nga kamerat e sigurisë, ai menjëherë shfrytëzon rastin e mungesës së priftit At Nikolla Xhufka dhe hyn në aksion.
Fillimisht vjedh një kryq të argjendtë në pjesën e altarit të cilin e fut në xhep.
Por nuk ndalon këtu, kthehet dhe sheh se ka ende për të vjedhur dhe merr menjëherë telefonin e priftit dhe e fut në xhepin e xhupit.
Sapo niset për t’u larguar përballet me të papriturën, priftin At Nikolla Xhufka që i del përpara dhe i thotë: Ndalo se të kapi kamera, çfarë more tek xhepi.
Prifti: Ndalo se të kapi kamera. Çfarë more tek xhepi? Nxirre.
Hajduti: Më fal ë!
Prifti: Përse më fal? Nuk e di që ka kamera aty o burrë i dheut? Nuk ke turp ti? Mirë, ti hyre… nuk e pe ti atë… Tjetrën, nxirre çfarë ke marrë. Mirë kthehu një herë andej (nga kamera)? Ashtu de, ik tani.
Hajduti: Ça do marr unë o burrë?
Prifti: Nesër thuaji policisë.
Hajduti: Unë ta dhashë!
Prifti: Nesër do të të denoncoj unë ty në polici. Që sot në darkë, nesër prit policinë.
Hajduti: A e more?
Prifti: Si?
Hajduti: A e more?
Prifti: Kush je ti ore që hyn brenda dhe vjedh?
Hajduti: Më fal e burrë?
Prifti: Më fal? Ku ka më fal sot po ik. Të fal që more telefonin?
Hajduti: A e more mbrapsht? Të lutem!
Prifti: Si e mora mbrapsht? Do ma jepje se s’bën!
Hajduti: Po mirë s’jam duke e vënë në dyshim, më fal.
Prifti: Mirë pra mirë, vazhdo. Nesër do vijë policia.
Pavarësisht se i tha se do e denonconte në polici, prifti i kishës nuk e bëri, ndërsa priti për shumë muaj që ky shtetas të kthehej dhe të kthente dhe kryqin e argjendtë dhe të kërkonte falje, por një gjë e tillë nuk ndodhi.