Inspeksioni i Komunës së Mitrovicës së Veriut i ka ndërprerë punimet ndërtimore në një rrugë që çon në lagjen multietnike, Mikronaselje, pasi një grup qytetarësh nga komuniteti serb u ankua se varrezat e vjetra ortodokse u gërmuan gjatë punimeve.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha të mërkurën për Radion Evropa e Lirë (REL) se rasti është duke u hetuar.
Policia e rrethoi zonën me shirit bardhekuq, që do të thotë se punimet e mëtejshme janë ndaluar.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiç, tha për REL-in se ka qenë “gabim teknik i kompanisë që ka fituar tenderin nga Ministria e Infrastrukturës” dhe se ende nuk ka informacione të hollësishme. Ai tregoi se ndërtimi i rrugës nuk është projekt i komunës.
“Ajo që dimë është se ata gërmuan varrezat ortodokse dhe drejtori ynë i inspektimit e ndaloi punën. Ne presim informacion më të detajuar për të parë se si mund të rregullojmë gjithçka,” tha ai.
Disa media lokale që raportojnë në gjuhën serbe kanë thënë se rruga është duke u ndërtuar si pjesë e një projekti për ndërtimin e shtëpive për të kthyerit nga komuniteti shqiptar, i financuar nga qeveria e Kosovës.
Qytetarët ngrenë padi
Një grup prej rreth 20 banorësh të Mitrovicës Veriore nga radhët e komunitetit serb kanë bërë kallëzim penal për gërmimin e një varreze.
Njëri prej tyre është edhe Nikolla Kabashiç, i cili në një deklaratë për gazetarët tha se Policia i ka thënë se për momentin nuk e di nëse bëhet fjalë për ndërtim pa leje, për të cilin është përgjegjëse komuna, apo për ndonjë vepër penale./REL
Artikulli i plotë këtu.