Në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, u mbajt dje një seancë dëgjimore me kandidatët për anëtar të pozicionit vakant në Këshillin Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar.
Nga 6 kandidatë, të pranishëm ishin Albert Minga, Genc Tomço, Ndriçim Xhepa, Rozeta Ferri dhe Plator Nesturi, ndërsa Majlinda Rama nuk u paraqit.
Emërues i përbashkët i fjalës së kandidatëve, ishte nevoja për të rritur cilësinë e shikueshmërinë në televizionin publik, por gjatë prezantimeve, është folur edhe për degradimin e ekraneve shqiptare përtej RTSH-së.
I pyetur nga kryetarja e komisionit Flutura Açka, se çfarë do të bënte për përmirësimin e situatës në RTSH, nëse do të ishte ai i përzgjedhuri, aktori Ndriçim Xhepa, u përgjigj si më poshtë:
“Këtë ‘qeveri’ të vogël të RTSH, këtë Këshill Kombëtar, që e shikoj dhe si bord, mendoj të jetë në mbështetje dhe të atij drejtimi që ekziston në atë institucion.
Sigurisht duke mbrojtur logjikën, sepse ky komision dihet se është i ndarë në shifra partiake, kaq këtej dhe kaq andej.
Do të shërbejë edhe eksperienca ime e të qënit nëpër borde, sepse kam qenë në komisione të aprovimeve të skenarëve, filmave, festivalesh, në Akademi të Arteve, në zgjedhje studentësh etj.
Mendoj që Radio Televizioni është një artileri e fortë e këtij vendi, pavarësisht se neve nuk na vjen mirë, që televizioni më duket më pak i shikueshëm se disa stacione private.
Dhe do pak punë, duke filluar nga problemet e politikës. Unë nuk do mendoja që të ishte kaq ‘i mbytur’ saç janë disa stacione, fillon politika sot dhe mbaron të premten.
Mund të kishte dy emisione shumë të vlefshme politike, që të gjendeshin nëse janë ata që janë të saktë dhe të thërriteshin që të ngulnin shikueshmëri.
Pastaj do mendoja që edicionet e lajmeve të ishin më të shkathëta, më sportiv etj., po unë them se duhet të shihen shumë gjërat e karakterit kulturor.
Do të doja që stacioni nacional të mbushej më shumë sepse shihet në të gjithë vendin. Dhe kam përshtypjen se shihet më shumë në rrethe se sa në Tiranë.
Sikundër shihet shumë në diasporë. Duhet të kishte më shumë emisione kulturore, të kthehet emisioni i fëmijëve. Për mua kjo është të rritet cilësia.
Sigurisht nuk do isha, dhe fatmirësisht nuk është prekur ky televizion nga disa emisione abuzuese që i kemi nëpër këmbë këto ditë. Që i japin një frymë shumë të keqe, një sens antiqytetar, antikulturor, antinjerëzor Shqipërisë….
Jo më larg se të ndikuar nga kurioziteti, kemi në familje nga një që do të shikojë se çfarë do të bëhet sonte…
Të karakterit deri në dhunë, deri në ofendime, deri në gjëra, që nuk e kuptoj ndonjëherë se çfarë japin.
Se kam kuptuar akoma, ndoshta jam mbrapa, por kanë ca probleme të kësaj natyre që sipas meje s’duhet të jenë prezentë.
Rinia po shkon drejt një fryme në sensin e humbjes së raporteve. Pra cilësia, çfarë do të bëhet dhe ndershmëria, janë kritere kyçe sipas meje te kushdoqoft pjesëtar”, u shpreh aktori Ndriçim Xhepa.